Peleshi në Athinë, takon homologun grek: Mbështetja e Greqisë për integrimin europian të Shqipërisë mbetet e palëkundur
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, ku u prit nga homologu i tij grek, Nikitas Kaklamanis. Gjatë takimit, dy zyrtarët vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit politik, parlamentar dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Në qendër të bisedimeve ishte perspektiva europiane e Shqipërisë dhe mbështetja e vazhdueshme e Greqisë për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, shprehu mirënjohjen për qëndrimin mbështetës të Athinës ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe vlerësoi progresin e arritur në negociatat me BE-në.
Peleshi ritheksoi objektivin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027, duke e cilësuar këtë proces si prioritet kombëtar dhe strategjik për vendin.
Nga ana e tij, kryeparlamentari grek Nikitas Kaklamanis rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se bashkëpunimi parlamentar mund të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Të dy palët vlerësuan rritjen e shkëmbimeve tregtare, investimeve, projekteve infrastrukturore dhe flukseve turistike, duke nënvizuar potencialin e madh që ekziston për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua rolit të komunitetit shqiptar në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri, të cilët u cilësuan si ura të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe dy popujve.
“Dy urat më të rëndësishme që lidhin vendet tona janë minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi. Mbi këto vlera duam të ndërtojmë më shumë prosperitet dhe bashkëpunim mes dy vendeve tona”, u shpreh Peleshi gjatë takimit.
Bashkëbiseduesit ndalën gjithashtu te rëndësia e trajtimit të çështjeve me interes të ndërsjellë përmes dialogut dhe frymës konstruktive, në respekt të së drejtës ndërkombëtare, parimeve të fqinjësisë së mirë dhe interesave strategjike të përbashkëta.
Në përfundim të takimit, të dy kryetarët e parlamenteve riafirmuan vullnetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke e konsideruar bashkëpunimin parlamentar një instrument të rëndësishëm për nxitjen e dialogut, zhvillimit ekonomik, sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Vizita e Peleshit në Athinë vjen në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve po shënojnë zhvillime pozitive në fusha të ndryshme, ndërsa integrimi europian i Shqipërisë mbetet një nga prioritetet kryesore të bashkëpunimit mes Tiranës dhe Athinës.







