Kuvendi mblidhet sot, në rend dite zgjedhja e kryesive dhe përbërjes së komisioneve
Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot në orën 17:00 seancën plenare, ku deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektvendimesh që lidhen me organizimin dhe funksionimin e komisioneve të përhershme parlamentare.
Në pjesën e parë të seancës pritet të diskutohet dhe votohet projektvendimi “Për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
Më pas, deputetët do të shqyrtojnë projektvendimin për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme, si dhe projektvendimin për emërimin e anëtarëve zëvendësues në këto komisione.
Në vijim të punimeve, Kuvendi do të zhvillojë diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit, sipas procedurave parlamentare.
Debati parlamentar është parashikuar të zgjasë deri në katër orë dhe koha do të ndahet mes grupeve parlamentare dhe deputetëve jashtë grupeve.
Sipas ndarjes së miratuar, grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të ketë në dispozicion 142 minuta diskutim, grupi parlamentar i Partisë Demokratike 60 minuta, ndërsa Aleanca për Ndryshim dhe Partia e Lirisë nga 12 minuta secila.
Deputetëve jashtë grupeve parlamentare u janë rezervuar gjithsej 16 minuta diskutim, të ndara në mënyrë të barabartë.







