Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në një mbrëmje përkujtimore të organizuar nga Arqipeshkvia Metropolitane Tiranë-Durrës, kushtuar të Lumit Vladimir Gjika, një figurë e shquar që mishëron besimin, dinjitetin dhe qëndresën.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha e cilësoi këtë aktivitet si një moment të veçantë reflektimi mbi lidhjet e hershme historike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Rumanisë. Ai theksoi se pikërisht në Rumani kanë marrë formë elementë të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare shqiptare, ku patriotët zhvilluan aktivitetin e tyre politik dhe kulturor, duke mbajtur gjallë idealet e lirisë dhe identitetin europian.
Ministri vlerësoi gjithashtu rolin e familjeve të njohura shqiptare që kanë kontribuar në jetën politike, kulturore dhe shpirtërore në të dy vendet, duke lënë gjurmë të rëndësishme ndër breza.
Sipas tij, një vlerësim i veçantë i takon edhe diasporës shqiptare në Rumani, e cila ka ruajtur dhe përcjellë me krenari identitetin kombëtar ndër vite.
Hoxha nënvizoi se edhe sot, diaspora shqiptare mbetet një faktor kyç për zhvillimin e vendit dhe forcimin e lidhjeve ndërkombëtare, duke e konsideruar atë një burim të rëndësishëm energjie dhe potenciali për të ardhmen europiane të Shqipërisë.


