Peleshi i drejtohet Komisionit të Venecias për ligjin e financimit të partive
Komisioni i Venecias ka njoftuar se Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, i është drejtuar zyrtarisht me një kërkesë për opinion mbi projektligjin “Për financimin e partive politike”.
Sipas njoftimit, përmes një letre të datës 27 prill 2026, Peleshi ka kërkuar vlerësimin e Komisioni i Venecias lidhur me projektligjin që synon rregullimin e kuadrit ligjor për financimin e subjekteve politike në Shqipëri.
Projekt-opinioni pritet të diskutohet dhe të miratohet në Sesionin e 147-të Plenar të Komisionit të Venecias, i cili do të zhvillohet më 12–13 qershor 2026.
Ky proces është pjesë e një opinioni të përbashkët mes Komisionit të Venecias dhe Këshilli i Evropës, përmes Drejtorisë së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit (DGI).
Ndërkohë, në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore është prezantuar projektligji që rregullon financimin e partive politike edhe jashtë periudhave zgjedhore.
Një nga dispozitat kryesore të tij është neni 7, i cili parashikon ndalime të plota për kategori të caktuara individësh apo subjektesh që nuk mund të japin ndihma financiare ose materiale për partitë politike.
Projektligji parashikon gjithashtu kufizime për donacionet dhe mënyrën e kryerjes së tyre, ku çdo dhurim mbi 500 mijë lekë duhet të realizohet përmes sistemit bankar.
Sipas draftit, shtetasit shqiptarë mund të dhurojnë deri në 200 mijë lekë në vit, personat fizikë të regjistruar sipas legjislacionit tatimor deri në 500 mijë lekë, ndërsa personat juridikë deri në 1 milion lekë në vit kalendarik.







