Kriza në Lindjen e Mesme godet BE-në: Fatura e energjisë rritet me mbi 25 miliardë euro, kërkohet zhbllokimi i Hormuzit
Kriza në Lindjen e Mesme po reflektohet gjithnjë e më shumë në ekonominë e Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave të fundit, fatura për importin e lëndëve djegëse fosile është rritur me mbi 25 miliardë euro që nga nisja e konfliktit, pa sjellë rritje të furnizimeve me energji.
Situata është përkeqësuar edhe nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, që po vazhdon prej afro dy muajsh.
Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet energjetike, duke rritur kostot dhe duke shtuar presionin mbi ekonomitë e vendeve të BE-së.
Në këtë sfond, Bashkimi Evropian po përgatit një plan të ri veprimi që pritet të prezantohet deri në verë. Qëllimi është rritja e prodhimit dhe përdorimit të energjisë së rinovueshme, në mënyrë që të ulet varësia nga importet e naftës dhe gazit.
Gjatë një samiti në Qipro, drejtues të lartë evropianë dhe partnerë nga Lindja e Mesme diskutuan për pasojat e konfliktit dhe rrugët për zgjidhje. U bë thirrje për shtimin e përpjekjeve diplomatike dhe rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, që konsiderohet një pikë kyçe për furnizimin global me energji.
Ndërkohë, po shqyrtohet edhe zgjerimi i rolit të misioneve të BE-së në det, duke kaluar nga mbrojtja bazë drejt një koordinimi më të avancuar. Konflikti vazhdon të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për rajonin, por edhe për ekonominë globale.







