Rusia po përshpejton ndërtimin e sistemit të saj të internetit satelitor në orbitë të ulët, të quajtur Rassvet (Agimi), një projekt që sipas inteligjencës ushtarake ukrainase mund t’i japë Moskës një avantazh të ri në luftë dhe të rrisë kërcënimin ndaj Ukrainës dhe Evropës.
Zëvendësshefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, gjeneralmajori Vadym Skibitskiy, deklaroi se Rusia ka përshpejtuar ndjeshëm programin, i cili po zhvillohet nga kompania ruse e hapësirës Bureau 1440.
Në fillim të këtij viti, Ukraina fitoi një avantazh në fushëbetejë pasi Elon Musk kufizoi aksesin e forcave ruse në rrjetin satelitor Starlink, duke vështirësuar komunikimet dhe koordinimin e sulmeve të tyre.
Megjithatë, Rusia po punon për të zëvendësuar këtë varësi. Në mars u lëshuan 16 satelitët e parë të sistemit Rassvet, ndërsa në korrik Bureau 1440 konfirmoi vendosjen me sukses të një grupi të dytë satelitësh.
Sipas këshilltarit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Serhii Beskrestnov, Rusia ka aktualisht rreth 40 satelitë Rassvet në orbitë.
Plani i Moskës është të ndërtojë një rrjet prej 292 satelitësh në orbitë të ulët deri në vitin 2027 dhe ta zgjerojë atë në 924 satelitë deri në vitin 2035.
Skibitskiy paralajmëroi se sistemi tashmë ka aftësi të pjesshme mbi territorin ukrainas, ndërsa Beskrestnov theksoi se, pasi të bëhet plotësisht funksional, Rassvet do t’i lejojë Rusisë të kontrollojë dronët në kohë reale përmes satelitëve dhe të godasë objektiva në të gjithë Ukrainën.
Sipas tij, sistemi përbën rrezik edhe për vendet evropiane, pasi mund t’i mundësojë Rusisë të drejtojë dronë në distanca të mëdha jashtë territorit të saj, duke përdorur terminale satelitore për komunikim dhe kontroll.
Përballë këtij zhvillimi, Ukraina po rrit presionin ndaj Elon Musk që të lejojë përdorimin e sinjalit Starlink edhe mbi territorin rus, gjë që deri tani kompania e ka refuzuar.
Drejtoresha e kompanisë ukrainase të raketave dhe dronëve Fire Point, Iryna Terekh, deklaroi se një ndryshim i tillë do të rriste ndjeshëm efektivitetin e operacioneve ukrainase kundër objektivave ushtarake në thellësi të territorit rus.
“Nëse Elon Musk do të aktivizonte Starlink mbi Rusinë për ne, do ta bënte punën shumë më të lehtë. Efektiviteti ynë do të rritej ndjeshëm”, u shpreh Terekh.


