Tregu europian i automjeteve ‘viktimë’ e krizës së koronavirusit
Një rënie si në kurrë më parë: Në vendet e BE-së në prill për shkak të pandemisë Corona janë shitur rreth tre të katërtat më pak automjete krahasuar me një vit më parë. Gjendja është dramatike në Itali dhe në Spanjë.
Në BE në prill janë licencuar saktësisht 270.682 vetura të reja, që do të thotë 76 përqind më pak se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Këtë e komunikoi Shoqata e Degës së Automobilëve, Acea, në Bruksel. Në janar dhe në shkurt numri i automjeteve të licensuara në qarkullim kishte rënë, por në valën e krizës Corona shitjet ranë me 50 përqind. Qysh në fillim të vitit pati rënie të kërkesave për automjete të reja në BE me gati 40 përqind.
Në prill praktikisht të gjitha sallonet e shitjes së automjeteve ishin të mbyllura. Secili nga 27 tregjet në BE ka pasur humbje në kuotat mbi 10 përqind, sipas shoqatës Acea. Veçanërisht vendet e prekura fort prej pandemisë Corona kanë pasur humbje dramatike në këtë treg: Italia, minus 97,6 përqind, Spanja minus 96,5 përqind, Franca minus 88,8 përqind. Në Britaninë e Madhe, që nuk është më pjesë e BE-së, shitjet e autmjeteve ranë me 97 përqind.
Fiat-Chrysler humb 90 përqind
Tregu i BE-së për automjette e reja, sipas ekspertëve ka përjetuar një rënie të pashembullt deri më sot. Këtë e pasqyrojnë edhe shifrat e prodhuesve të veçantë të automjeteve: Koncerni gjerman Volkswagen me të gjitha markat e tij të automjeteve ka pësuar një minus mbi 70 përqind. Tek Daimler po ashtu rënia është mbi 70 përqind. Prodhuesi francez i automobilëve Renault dhe PSA kanë pësuar humbje me 80 përqind dhe koncerni amerikan Fiat-Chrysler madje arrin kuotën gati 90 përqind.
Nëse dobësohen prodhuesit e automobilëve, kjo prek fort edhe degën e prodhimit të pjesëve të këmbimit. Pjesë të mëdha të industrisë gjermane të automobilëve për shkak të krizës po përgatiten të shkurtojnë vendet e punës. Këtë e tregoi edhe një sondazh i realizuar nga shoqata e kësaj dege të industrisë, VDA. Vetëm në rreth 130 firma të pyetura rrezikohen menjëherë rreth 12.500 vende pune. Disa firma, sikurse pohojnë, parashikojnë shkurtime të vendeve të punës deri në 40 përqind.
Eunews.al