Zelensky kërkon raketat interceptuese të Europës: Nuk mund të qëndrojnë në magazina

16 Aug 2026 13:43
Shpërndaje:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për përdorimin e menjëhershëm të raketave interceptuese evropiane për mbrojtjen e Ukrainës, ndërsa vendi po përballet me sulme të intensifikuara ruse.

Në një postim në rrjetin social X, Zelensky deklaroi se sistemet dhe raketat e mbrojtjes ajrore që disponojnë vendet evropiane nuk duhet të qëndrojnë të papërdorura në një kohë kur qytetet ukrainase vazhdojnë të jenë objektiv i sulmeve.

“Raketat interceptuese në Evropë nuk mund të lejohen thjesht të qëndrojnë në magazina. Jetët duhet të mbrohen”, u shpreh presidenti ukrainas.

Reklamë Ola

Zelensky akuzoi gjithashtu Rusinë se po përdor raketa balistike të prodhuara nga Koreja e Veriut për të goditur Ukrainën, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë.

Sipas tij, situata kërkon forcimin e menjëhershëm të kapaciteteve ukrainase të mbrojtjes ajrore dhe një reagim më të fuqishëm nga partnerët ndërkombëtarë.

Reklamë InterMedika

Presidenti ukrainas theksoi se paketat e reja të ndihmës ushtarake nuk duhet të shihen vetëm si vendime politike, pasi ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e popullsisë.

“Çdo paketë e re mbështetjeje për Ukrainën nënkupton shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e infrastrukturës çdo ditë”, deklaroi Zelensky.

Kievi ka shtuar thirrjet drejtuar vendeve evropiane për furnizime të tjera me sisteme dhe raketa të mbrojtjes ajrore, ndërsa Rusia vijon sulmet me raketa dhe dronë ndaj territorit ukrainas.