Shqipëria pritet të përfitojë 61 milionë euro nga Bashkimi Evropian, pas përmbushjes së masave të përcaktuara në sektorin e energjisë në kuadër të Planit të Rritjes dhe Axhendës së Reformave.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se detyrimet e parashikuara janë realizuar brenda afatit të 30 qershorit, duke i hapur rrugë disbursimit të fondeve që do të mbështesin investimet dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Një pjesë e rëndësishme e reformave lidhet me modernizimin e kuadrit ligjor dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian. Masat përfshijnë gjithashtu zhvillimin e energjisë së rinovueshme, reduktimin e varfërisë energjetike dhe krijimin e komuniteteve të energjisë.
Sipas ministrit, një nga objektivat kryesorë është arritur madje përpara afatit, pasi Shqipëria ka siguruar mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme.
“Reformat në sektorin e energjisë po japin rezultate konkrete. Nga modernizimi i kuadrit ligjor dhe përafrimi me standardet e BE-së, te energjia e rinovueshme, ulja e varfërisë energjetike dhe komunitetet e energjisë, kemi bërë hapa të rëndësishëm drejt një sektori më modern dhe më të qëndrueshëm”, deklaroi Karakaçi.
Ai theksoi se përmbushja e këtyre objektivave krijon kushtet për disbursimin e 61 milionë eurove nga mekanizmi evropian.
“Mbi të gjitha, kemi arritur përpara afatit objektivin për mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Këto rezultate i hapin rrugën edhe disbursimit të 61 milionë eurove në kuadër të Growth Plan dhe Reform Agenda, duke mbështetur investimet, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian”, u shpreh ministri.
Fondi prej 61 milionë eurosh pritet të përdoret për investime në sektorë të ndryshëm, ndërsa përfitimi i tij lidhet me zbatimin e reformave që Shqipëria ka marrë përsipër në kuadër të procesit të afrimit me Bashkimin Evropian.
Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të rajonit me tregun evropian, ndërsa fondet vihen në dispozicion në varësi të realizimit të reformave dhe objektivave të dakordësuara.
Sipas Karakaçit, puna do të vijojë me të njëjtin angazhim për forcimin e sektorit energjetik dhe avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.


