Izraeli paralajmëron se do të mbajë trupat në Siri, Katz: Do të qëndrojmë sa të ketë kërcënime

26 Aug 2026 08:41
Shpërndaje:

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, ka vizituar trupat izraelite të dislokuara në jug të Sirisë, duke përsëritur qëndrimin se Izraeli do të ruajë praninë e tij ushtarake në zonë për aq kohë sa të konsiderojë se ekzistojnë kërcënime ndaj sigurisë së vendit.

Vizita zhvillohet në një periudhë tensionesh të shtuara në Siri dhe vetëm pak ditë pas një sulmi izraelit ndaj bazës ajrore Abu Dhuhur, në veriperëndim të vendit.

Sipas autoriteteve izraelite, sulmi u krye pas informacioneve të inteligjencës se Turqia synonte të krijonte një prani ushtarake në këtë bazë, çka Izraeli e konsideronte kërcënim për sigurinë e tij. Katz ka deklaruar se ushtria izraelite kishte rekomanduar disa herë goditjen e bazës dhe se autoritetet siriane ishin paralajmëruar përpara se sulmi të autorizohej.

Reklamë Ola

Turqia ka mohuar se po përgatitej të dislokonte trupa në bazën siriane.

Katz ka theksuar se Izraeli nuk do të lejojë krijimin në Siri të një pranie ushtarake që mund të kërcënojë kufijtë e tij dhe se forcat izraelite do të vazhdojnë të veprojnë kundër kërcënimeve të mundshme.

Reklamë InterMedika

Që prej rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor 2024, Izraeli ka zhvilluar operacione të shumta ushtarake në territorin sirian dhe ka forcuar praninë e tij në jug të vendit.

Zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të ri rajonal, veçanërisht për shkak të përplasjes së interesave të Izraelit dhe Turqisë në Siri.