<strong>Salianji kërkon sqarime për përjashtimin nga PD, akuzon Berishën për mungesë gare të brendshme</strong>

13 May 2026 22:43
Shpërndaje:

Ndër 5 demokratët dhe më kryesori, që synoi të marrë pjesë në garën për kreun e Partisë Demokratike, dhe nuk u lejua nga Sali Berisha, është Ervin Salianji.

Më herët, kryedemokrati ka deklaruar shpesh se ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga PD, pasi ka shkelur vijën e kuqe. Të paktën kështu e shprehu Berisha pakënaqësinë e tij për takimet e Salianjit me demokratët e bazës së partisë.

I ftuar në emisionin “Repolitix” me Denis Mingën në Report Tv, Salianji tregoi ekskluzivisht se nesër do t’i drejtohet selisë blu me një kërkesë për informacion mbi shkaqet dhe procedurat e ndërmarra për përjashtimin e tij nga Partia Demokratike.

Reklamë Ola

“Nesër do të depozitoj shkresë në parti dhe do të kërkoj kush është vendimi i përjashtimit, cilat janë arsyet dhe kur është marrë kjo vendimmarrje”,- tha Salianji.

Ish-deputeti pranoi hapur se aksioni i tij politik është një lëvizje brenda Partisë Demokratike.

Reklamë InterMedika

“Takimi me njerëz është një prej formave të rëndësishme për të zhvilluar politikë, proces debatit publik dhe paraqitjes së alternativave. Edhe ngritja e zërit për një demokraci të brendshme, shkelja e rregullave statutore dhe mosmbajtje premtimesh të Sali Berishës gjatë mandatit 4-vjeçar në krye të PD”,- tha Salianji.

Ai thekson se është e turpshme për Partinë Demokratike që kryetari i saj nuk është i aftë të mbushë sallat e takimeve më shumë se një ish-deputet i saj. Sipas Salianjit, Berisha është i padëshirueshëm për 80% të partisë.

“A keni parë garë që një kandidati përjashton kandidatët e tjerë, më përjashton mua, cakton komisionin vetë, cakton listat vetë, del te selia vetë, i përdor burimet financiare vetë”,- tha Salianji.

Fajtor për humbjen e thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, sipas tij, mbetet Sali Berisha.

“Kush i bëri listat, kush e bëri programin”,- bën pyetjen retorike ish-deputeti.