Rama: Serbia po bllokon dialogun, duhet të pranojë realitetin e Republikës së Kosovës

14 Jul 2026 22:56
Shpërndaje:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për ngërçin në dialogun me Kosovën, pasi, sipas tij, ende nuk është e gatshme të pranojë realitetin e ri të krijuar me pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama u shpreh se problemi themelor në procesin e dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian është refuzimi i Beogradit për të njohur ndryshimet që kanë ndodhur në rajon.

“Serbia është më përgjegjësja për situatën në dialog, sepse nuk është e gatshme ta pranojë realitetin, ndërsa realiteti ka ndryshuar. Nuk ekziston më diçka që quhet ‘Kosova dhe Metohia’; ekziston Republika e Kosovës”, deklaroi kryeministri.

Reklamë Ola

I pyetur për faktin se pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Rama tha se kjo nuk e ndryshon realitetin ndërkombëtar dhe se shumica dërrmuese e shteteve evropiane tashmë e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur.

“Pesë nga 27 janë ende pak. Kjo tregon se shumica dërrmuese e vendeve e kanë pranuar realitetin. Nuk bëhet fjalë për dobësi, por për pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar”, u shpreh ai.

Reklamë InterMedika

Sipas Ramës, shqiptarët e Kosovës kishin të njëjtën të drejtë për vetëvendosje si popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë që fituan pavarësinë e tyre.

“Këtu nuk bëhet fjalë për dobësi, por për pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar. Ashtu si të gjithë popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë gjetën rrugën e tyre dhe u bënë të pavarur, edhe shqiptarët kishin të drejtën për vetëvendosje. Natyrisht, kjo duhet të shoqërohet me bashkëpunim të mirë dhe marrëdhënie harmonike me pakicat. Sot shqiptarët nuk janë më pakicë në Serbi, ndërsa serbët janë pakicë në Kosovë”, tha ai.

Gjatë intervistës, Rama u pyet edhe për qëndrimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Megjithatë, ai refuzoi të komentojë zhvillimet e politikës së brendshme në Kosovë.

“Unë kam një rregull që e respektoj gjithmonë. Nuk flas kurrë për opozitën time në një gjuhë të huaj. Mos më kërkoni të them në një gjuhë të huaj gjëra që kanë të bëjnë me Albin Kurtin dhe me vëllezërit e motrat e mia në Kosovë”, deklaroi Rama.

Në përfundim, kryeministri shqiptar theksoi se Serbia, si shteti më i madh në Ballkanin Perëndimor, ka një përgjegjësi të veçantë për stabilitetin rajonal dhe duhet të përballet me realitetin e ri politik.

“Sipas mendimit tim, dhe këtë e kam thënë edhe në Beograd, sa më shpejt që Serbia ta pranojë se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë”, përfundoi Rama.