Kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë për CNN International se projekti i planifikuar në Zvërnec nuk synon shkatërrimin e ekosistemit të zonës, duke theksuar se zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës mund të bashkëjetojnë.
Duke komentuar debatet dhe kundërshtitë e fundit lidhur me investimin e parashikuar në zonë, Rama u shpreh se sfida nuk është ndërtimi i një qyteti të ri apo mbulimi i territorit me beton, por krijimi i një modeli zhvillimi që respekton mjedisin dhe biodiversitetin.
“Sfida nuk është të ndërtohet një qytet. Sfida nuk është të derdhet beton mbi kokat e flamingove. Sfida është të provohet se zhvillimi dhe natyra jo vetëm që mund të bashkëjetojnë, por se natyra dhe zhvillimi kanë nevojë për njëra-tjetrën”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se njerëzit meritojnë të jetojnë dhe të vizitojnë hapësira ku natyra ruhet dhe vlerësohet, ndërsa zhvillimi realizohet në mënyrë të përgjegjshme.
“Njerëzit meritojnë të jetojnë në një lloj tjetër mjedisi, ku mund ta shijojnë natyrën dhe njëkohësisht t’i tregojnë respekt”, tha ai.
Rama kundërshtoi gjithashtu informacionet dhe imazhet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale lidhur me projektin, duke sqaruar se aktualisht nuk ekziston ende një projekt përfundimtar.
Sipas tij, procesi ndodhet ende në fazën e studimeve dhe të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
“Projekti ende nuk ekziston. Vlerësimi i ndikimit mjedisor është ende duke u kryer. E kuptoni? Dhe më lini të përfundoj”, u shpreh Rama gjatë intervistës për CNN International.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur projekti në Zvërnec ka nxitur debate publike dhe protesta nga grupe qytetarësh dhe aktivistësh mjedisorë, të cilët kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në ekosistemin e zonës.
Nga ana tjetër, qeveria ka argumentuar se çdo zhvillim do të bazohet në standarde mjedisore ndërkombëtare dhe se procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis do të jetë përcaktues për hapat e mëtejshëm të investimit.


