×
Tuesday, June 9, 2026

Rama: I ftova protestuesit në dialog për Zvërnecin, por më kërkuan dorëheqjen

June 9, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi se ka tentuar të hapë një dialog me protestuesit kundër investimit në Zvërnec, por sipas tij, ata kanë refuzuar çdo diskutim dhe kanë kërkuar vetëm largimin e tij nga detyra.

Gjatë një konference me gazetarë nga vendet e Bashkimit Evropian, ku një nga temat kryesore ishte debati për projektin në Zvërnec, Rama tha se investimi po ndiqet sipas procedurave dhe protokolleve të përcaktuara, me kërkesa të qarta për mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e standardeve për zonat e ndjeshme.

Sipas kryeministrit, investitorëve u është bërë e qartë që në fillim se duhet të respektojnë çdo kriter që lidhet me mbrojtjen e territorit dhe të biodiversitetit.

“Çdokush që ka një pronë private ka të drejtë të vendosë një gardh. Kur ka një proces të tillë, kemi protokolle që vërtetojnë të kundërtën, që ky vend funksionon si vend europian. Kemi protokolle që vërtetojnë me shkrim që investuesve u janë thënë për cenueshmërinë e zonës, parametrat dhe çështje të tjera”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë tha se fillimisht e kishte konsideruar protestën si një shqetësim mjedisor, por më pas krijoi bindjen se qëllimi i saj kishte ndryshuar.

“Unë e thashë ditën e parë dhe të dytë, pastaj hoqa dorë sepse e pashë që nuk kishte të bënte me mjedisin, por me një ndjenjë që ‘është koha jonë të marrim kontroll’”, deklaroi ai.

Rama shtoi se kishte ftuar protestuesit të diskutonin mbi projektin dhe shqetësimet e tyre, por sipas tij, përgjigjja ishte refuzimi i dialogut.

“E thashë që kush do të flasë është i mirëpritur për projektin. Përgjigjja ishte: ‘Jo, ne nuk flasim, ne nuk dëgjojmë, ti duhet të japësh dorëheqje’”, tha kryeministri.




Comments are closed.