Dy eurodeputetë të lartë gjermanë po propozojnë krijimin e një marrëveshjeje më formale mes forcave kryesore të qendrës në Parlamentin Europian, sipas modelit të koalicioneve qeverisëse në Gjermani, me synimin për të garantuar shumica më të qëndrueshme për politikat e Ursula von der Leyen dhe për të reduktuar varësinë e Partisë Popullore Europiane nga votat e së djathtës ekstreme.
Niclas Herbst dhe René Repasi, drejtuesit parlamentarë respektivisht të kristiandemokratëve të kancelarit Friedrich Merz dhe socialdemokratëve të zëvendëskancelarit Lars Klingbeil, kërkojnë që familjet e tyre politike europiane, PPE dhe Socialistët & Demokratët, të arrijnë një marrëveshje më të strukturuar bashkëpunimi.
Ideja është që dy grupimet të mos negociojnë më vetëm rast pas rasti për çdo dosje legjislative, por të krijojnë mekanizma për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të bien paraprakisht dakord për prioritetet që secila palë do të mund të çojë përpara.
“Nëse nuk kemi besim, nëse nuk gjejmë zgjidhje të mira dhe nëse nuk japim rezultate për njerëzit, populistët dhe ekstremistët në të majtë dhe në të djathtë do të vendosin”, paralajmëroi Herbst në një intervistë të përbashkët me Repasin.
Sipas një përmbledhjeje të sondazheve të POLITICO, tre grupimet kryesore të qendrës europiane janë në rrugën për të humbur 49 vende në zgjedhjet e ardhshme. Kjo ka shtuar shqetësimet se forcat populiste dhe ato më radikale mund të fitojnë edhe më shumë ndikim në Parlamentin Europian.
Zgjedhjet europiane të vitit 2024 ndryshuan ndjeshëm ekuilibrat politikë në Bruksel. PPE, ku bën pjesë CDU-ja gjermane, ka bashkëpunuar gjithnjë e më shpesh me grupimet e së djathtës për miratimin e disa politikave, ndërsa marrëdhëniet me S&D janë përkeqësuar.
Që prej qershorit 2024, PPE është mbështetur te votat e së djathtës për çështje që lidhen me deportimet, reduktimin e kërkesave të raportimit të gjelbër për bizneset dhe shtyrjen apo zbutjen e disa dispozitave të ligjit kundër shpyllëzimit.
Repasi paralajmëroi se vazhdimi i “frustrimit” dhe “mosbesimit”, të shkaktuar edhe nga marrëveshjet e PPE-së me të djathtën ekstreme, mund t’i largojë përfundimisht dy grupimet kryesore nga njëri-tjetri. Sipas tij, një zhvillim i tillë mund të sillte një “katastrofë politike”, duke paralizuar sistemin vendimmarrës në Bruksel.
Një marrëveshje e re mes PPE-së dhe S&D-së do të mund të reduktonte gjithashtu presionin politik mbi presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Përplasjet mes dy grupimeve e kanë bërë gjithnjë e më të paparashikueshëm votimin e disa prej politikave kryesore të Komisionit.
Një prej rasteve ishte marrëveshja tregtare BE-Mercosur, të cilën eurodeputetët vendosën në janar ta dërgonin për shqyrtim gjyqësor. Sipas dy eurodeputetëve gjermanë, një marrëveshje më e qëndrueshme politike do t’i jepte Komisionit dhe vendeve anëtare më shumë siguri se Parlamenti mund të miratojë programin e Von der Leyen.
Modeli i propozuar merr frymëzim nga tradita gjermane e koalicioneve. Nëse një kompromis nuk mund të arrihet brenda një dosjeje të vetme, palët mund të bëjnë lëshime reciproke në politika të ndryshme.
“Nëse një kompromis nuk është i mundur brenda një dosjeje, duhet të gjejmë një kompromis mes dosjeve të ndryshme”, tha Repasi, duke argumentuar se të dyja palët duhet të jenë të gatshme të pranojnë edhe lëshime që janë të vështira për to.
Herbst dhe Repasi kanë hedhur gjithashtu idenë e krijimit të një strukture të posaçme drejtuese që do të ndërhynte në mosmarrëveshjet mes partnerëve dhe do të përcaktonte se cili grup do të merrte drejtimin për çështje të caktuara. Mekanizmi do të ishte i ngjashëm me komitetin e koalicionit që përdoret nga CDU dhe SPD në Gjermani.
Megjithatë, realizimi i planit mbetet i pasigurt. Një zëdhënës i drejtueses së S&D-së, Iratxe García, tha se ideja “nuk është asgjë e re” dhe se kishte qenë pjesë e negociatave që në vitin 2024. Ndërsa kreu i PPE-së, Manfred Weber, nuk komentoi mbi propozimin.
Pas zgjedhjeve të vitit 2024, PPE, S&D dhe liberalët e Renew nënshkruan një marrëveshje të shkurtër bashkëpunimi, por kjo nuk e pengoi PPE-në që më pas të krijonte shumica me të djathtën ekstreme për disa çështje.
Një tjetër pengesë është fakti se eurodeputetët kanë më pak detyrime për të ndjekur vijën e grupit të tyre sesa deputetët në parlamentet kombëtare. Parlamenti Europian nuk shpërndahet nëse prishet një shumicë dhe humbja e saj nuk sjell automatikisht rrëzimin e Komisionit.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve, PPE dhe S&D do të detyrohen të gjejnë kompromise në muajt e ardhshëm për disa prej dosjeve më të rëndësishme të BE-së, mes tyre planet për zbutjen e ndalimit të motorëve me djegie, thjeshtimin e rregullave mjedisore, reformimin e Frontex dhe negociatat për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Europian.
“Ne mund të kemi sukses me të majtën ekstreme ose të djathtën ekstreme për çështje të caktuara, por në panoramën e përgjithshme kemi shumë më tepër të përbashkëta me liberalët dhe socialdemokratët”, tha Herbst.
Një provë e rëndësishme për bashkëpunimin do të jetë edhe presidenca e Parlamentit Europian. Eurodeputetët presin që Roberta Metsola e PPE-së të kërkojë një mandat të tretë, ndërsa S&D këmbëngul se këtë herë posti duhet t’i takojë socialistëve. Herbst dhe Repasi argumentojnë se dy grupimet duhet të gjejnë një kandidat të përbashkët, pasi një përplasje për këtë post mund të ekspozojë dobësitë e marrëveshjes së propozuar që në fillim.
Të dy eurodeputetët e lidhin nismën e tyre me përvojën gjermane të bashkëpunimit mes CDU-së dhe SPD-së. Repasi tha se iniciativa është gjithashtu në interes të qeverisë gjermane, në mënyrë që marrëveshjet e arritura në Berlin të mund të gjejnë mbështetje edhe në Parlamentin Europian.
“Të mos flasim shumë për të kaluarën apo marrëdhëniet personale, por të shohim drejt së ardhmes”, përfundoi Herbst.


