×
Friday, May 8, 2026

Rama: Digjitalizimi në bashki mbetet pika më e dobët e administratës vendore

May 8, 2026


Edi Rama deklaroi sot se digjitalizimi në nivel vendor mbetet një nga hallkat më të dobëta të administratës publike, gjatë prezantimit të Fazës II të projektit “EU4Municipalities” në Durrës.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë, përfshirë ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, si dhe zëvendësambasadorin gjerman Thilo Schroeter. Të pranishëm ishin gjithashtu ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore Ervin Demo dhe kryetarja e bashkisë Durrës Emiriana Sako.

Projekti “EU4Municipalities”, i financuar me 10 milionë euro nga BE dhe 1 milion euro nga Gjermania, synon të përmirësojë shërbimet publike dhe të forcojë kapacitetet institucionale të bashkive.

Rama theksoi se ekziston një hendek i dukshëm mes nivelit qendror dhe atij vendor në shërbimet digjitale, duke e cilësuar këtë diferencë si të pajustifikuar.

“Ka një diferencë të papranueshme dhe të pajustifikuar mes peshës që ka digjitalizimi në nivelin qendror dhe shërbimeve publike në nivel vendor”, u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se sfida kërkon bashkëpunim me partnerët evropianë dhe përmirësim të koordinimit institucional.

Ai u bëri thirrje bashkive që projektin ta shohin jo vetëm si financim, por si mundësi për të zhvilluar kapacitetet njerëzore dhe për të ndërtuar struktura të qëndrueshme.

Sipas tij, forcimi i digjitalizimit në nivel vendor është një element kyç për modernizimin e shërbimeve publike dhe afrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian.




Comments are closed.