Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin “Për Censin e Bujqësisë”, i cili krijon kuadrin ligjor për organizimin dhe zhvillimin e regjistrimit të përgjithshëm të njësive ekonomike bujqësore në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Nisma synon mbledhjen e të dhënave të detajuara mbi fermat, sipërfaqet e kultivuara, aktivitetet blegtorale dhe strukturën e sektorit bujqësor, duke krijuar një bazë të besueshme statistikore dhe regjistrin statistikor të njësive ekonomike bujqësore në vend.
Sipas projektligjit, censi do të përfshijë të gjitha njësitë ekonomike që përdorin tokë bujqësore ose zhvillojnë aktivitet në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, pavarësisht nëse prodhimi i tyre është i destinuar për treg apo për konsum familjar.
Procesi synon të sigurojë mbulim sa më të gjerë të sektorit, duke përfshirë të paktën 98% të sipërfaqes së përdorur për bujqësi në nivel kombëtar, me përjashtim të kopshtarisë, si dhe 98% të njësive blegtorale në vend.
Projektligji përcakton gjithashtu se pyjet dhe kullotat publike nuk do të përfshihen në census, përveç rasteve kur ato përdoren drejtpërdrejt nga fermat dhe njësitë ekonomike bujqësore për zhvillimin e aktivitetit të tyre.
Instituti i Statistikave (INSTAT) do të jetë institucioni përgjegjës për realizimin e censit, duke administruar të gjithë procesin, që nga planifikimi dhe organizimi deri te përpunimi dhe publikimi i rezultateve përfundimtare.
Sipas projektligjit, informacioni i mbledhur do të shërbejë si bazë për hartimin e politikave publike në sektorin e bujqësisë, për planifikimin e programeve të mbështetjes për fermerët dhe për zhvillimin e mëtejshëm të zonave rurale.
Autoritetet vlerësojnë se realizimi i Censit të Bujqësisë do të mundësojë një pasqyrë më të saktë të potencialit prodhues të vendit, strukturës së fermave dhe nevojave reale të sektorit, duke ndihmuar në orientimin më efektiv të investimeve dhe politikave zhvillimore në bujqësi.


