Presidenti Hashim Thaçi jep dorëheqjen pas konfirmimit të akuzës nga Haga



Hashim Thaçi, të enjten, më 5 nëntor dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.
Ky vendim erdhi pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një konfrencë për media në Prishtinë, Thaçi tha se është njoftuar zyrtarisht për konfirmimin e aktakuzës. Ai tha se jep dorëheqje nga posti i presidentit, pasi që nuk do që të përballet me drejtësinë, duke qenë në krye të shtetit të Kosovës.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës , popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.
Sipas Thaçit, aktakuza ndja tij dhe eksponentëve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “është çmim i vogël, i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë”.
Në fund të adresimit të tij, ai tha se beson që nga ky proces i përballjes me drejtësinë “do të dalim faqebardhë”.
Qeveria e Kosovës: Askush nuk mund ta gjykojë luftën për liri
Pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale, ndaj Thaçit, Veselit dhe eksponentëve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara, përmes një reagimi, Qeveria e Kosovës tha se beson në luftën e drejtë të UÇK-së.
“Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri”, thuhet në reagim.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë”, tha ekzekutivi i vendit.
Për çka dyshohet Thaçi?
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 24 qershor ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.
Më herët gjatë të enjtes, kreu i PDK-së, Kadri Veseli njoftoi se Dhomat e Specializuara i kanë konfirmuar aktakuzën.
Eunews.al

