Nga “No.10 North” te Trump, si Andy Burnham po e vendos Mançesterin në qendër të politikës britanike

04 Aug 2026 09:35
Shpërndaje:

Që prej marrjes së detyrës si kryeministër i Britanisë së Madhe, Andy Burnham nuk e ka fshehur lidhjen e tij të fortë me Mançesterin. Ish-kryebashkiaku i Greater Manchester, që drejtoi qytetin për nëntë vite, e ka përmendur vazhdimisht vendlindjen e tij në fjalime, takime diplomatike dhe nisma qeveritare, aq sa mediat britanike e cilësojnë këtë një nga tiparet më dalluese të muajve të parë të qeverisjes së tij.

Sipas një analize të POLITICO, Burnham ka gjetur mënyra të ndryshme për ta vendosur Mançesterin në qendër të agjendës së tij politike, nga krijimi i një zyre të re qeveritare në veri të Anglisë deri te bisedat me liderë botërorë.

“No.10 North”, një qendër e re vendimmarrjeje në Mançester

Një nga projektet simbolike të Burnham është krijimi i “No.10 North”, një zyrë qeveritare e vendosur në ndërtesën Heron House në Mançester.

Reklamë Ola

Kryeministri e ka cilësuar atë si një “dhomë situatash për rritjen ekonomike”, duke premtuar se do të punojë rregullisht prej aty së bashku me ministra të kabinetit.

Në mbledhjen inauguruese me kryebashkiakët rajonalë, Burnham bëri një koment që tërhoqi vëmendjen e mediave.

Reklamë InterMedika

“Ky mund të jetë dita më e bukur e jetës sime”, tha ai.

Në ambientet e zyrës është vendosur edhe një disk i artë i albumit “The Queen Is Dead” të grupit legjendar nga Mançesteri, The Smiths, një tjetër detaj që nënvizon lidhjen e tij me qytetin.

Profesori Robert Ford nga Universiteti i Mançesterit tha se referencat e vazhdueshme ndaj qytetit janë një strategji politike e menduar mirë.

“Sjellja e tij është pritur shumë mirë këtu. Është një mesazh i zgjuar politik, sepse u tregon banorëve të veriut se ai nuk e ka harruar qytetin që drejtoi për vite me radhë dhe vazhdon ta vendosë në qendër të politikave të tij”, u shpreh Ford.

Ftesë për Donald Trump

Edhe gjatë telefonatës së tij të parë me presidentin amerikan Donald Trump, Burnham gjeti rastin të promovonte Mançesterin.

Në vend që ta kufizonte bisedën vetëm te marrëdhëniet dypalëshe, ai e ftoi Trumpin të vizitojë qytetin, duke pasur parasysh se Britania pritet të organizojë samitin e G20 vitin e ardhshëm, i cili sipas pritshmërive do të zhvillohet pikërisht në Mançester.

Mançesteri edhe në bisedat me Omanin

Lidhja e Burnham me qytetin u reflektua edhe gjatë telefonatës me Sulltanin e Omanit, Haitham bin Tariq Al Said.

Sipas përmbledhjes zyrtare të bisedës, kryeministri britanik përmendi se qendra e zhvillimit ekonomik Al Batinah North Growth Hub në Oman ishte frymëzuar nga modeli i Manchester Growth Hub, një projekt që Burnham kishte krijuar gjatë kohës kur ishte kryebashkiak.

Në të njëjtën fjali, emri i Mançesterit u përmend dy herë.

Muzika e Mançesterit në qendër të imazhit të tij

Burnham vazhdon të promovojë edhe trashëgiminë muzikore të qytetit.

Ai është shfaqur duke kërcyer nën ritmet e këngës “True Faith” të grupit New Order, ndërsa në një video në TikTok ku rendiste grupet e tij të preferuara, katër nga pesë grupet e përzgjedhura ishin nga Mançesteri.

Edhe lista zyrtare e këngëve që shoqëroi fushatën zgjedhore në Makerfield dominohej nga artistë të qytetit.

Narendra Modi e quajti Ahmedabadin “Mançesteri i Indisë”

Referencat ndaj Mançesterit nuk kanë ardhur vetëm nga Burnham.

Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin indian Narendra Modi, lideri indian e krahasoi qytetin e Ahmedabadit me Mançesterin.

Modi e cilësoi Ahmedabadin si “Mançesteri i Indisë”, duke theksuar lidhjet industriale dhe historike mes dy qyteteve.

Downing Street e përfshiu këtë koment edhe në njoftimin zyrtar të bisedës.

Dialekti i Mançesterit në TikTok

Edhe në rrjetet sociale Burnham vazhdon të promovojë identitetin lokal.

Në një video të publikuar në TikTok, ai u përpoq t’u shpjegonte britanikëve dallimet gjuhësore mes rajoneve të vendit.

Si shembull përdori fjalën “barm”, termi që përdoret në veriperëndim të Anglisë për bukën e vogël, duke këmbëngulur se nuk mund të quhet ndryshe.

Sipas Burnham, ky ishte një ilustrim i idesë se zgjidhjet që funksionojnë në një pjesë të vendit nuk janë domosdoshmërisht të përshtatshme për një tjetër, një argument që ai e përdor shpesh për të mbështetur politikën e decentralizimit dhe fuqizimit të rajoneve.

Analiza e POLITICO vlerëson se përmendjet e vazhdueshme të Mançesterit nuk janë rastësore, por pjesë e një strategjie politike që synon të forcojë identitetin rajonal, të promovojë zhvillimin e veriut të Anglisë dhe të tregojë se qeveria e re synon të zhvendosë një pjesë të vendimmarrjes larg Londrës.