Lideri i Reform UK, Nigel Farage, është shpallur fitues i zgjedhjeve të pjesshme në Clacton, duke siguruar 22,239 vota në një garë ku partitë e tjera kryesore britanike nuk paraqitën kandidatë.
Rivali i tij më i afërt ishte komediani që garoi me emrin Count Binface, i cili mori 9,455 vota. Farage siguroi 1,014 vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2024, ndërsa pjesëmarrja në votime ishte 44.37%.
Zgjedhjet e pjesshme u nxitën nga vetë Farage, në një kohë kur ai po përballet me presion dhe pikëpyetje në lidhje me financat e tij.
Në qendër të debatit është një donacion prej 5 milionë paundësh nga sipërmarrësi i kriptomonedhave Christopher Harborne, i dhënë përpara se Farage të bëhej deputet i Clacton në vitin 2024, si dhe mbështetja e marrë nga George Cottrell, i dënuar më parë për mashtrim.
Farage e kishte paraqitur votimin si një mundësi që zgjedhësit e Clacton të gjykonin vetë mbi akuzat ndaj tij, duke e përshkruar garën si një përballje mes “popullit dhe establishmentit”.
Pavarësisht fitores, dy hetime parlamentare lidhur me financat e tij pritet të rifillojnë. Nëse konstatohet se Farage ka shkelur rregullat, ai mund të përballet me një tjetër sfidë politike në zonën elektorale.
Farage nuk mori pjesë në shpalljen zyrtare të rezultatit në Clacton Leisure Centre, duke thyer traditën. Ai tha se vendimi erdhi për shkak të asaj që e cilësoi si një “fushatë të organizuar për të ndërprerë dhe degraduar” rezultatin.
“Jam i vendosur të mos qëndroj në një skenë pasi kam fituar një fitore bindëse dhe të poshtërohem nga njerëz pa rëndësi”, deklaroi Farage para mbështetësve.
Edhe tubimi që ishte planifikuar për të festuar fitoren në Clacton është anuluar.


