Kryeministri hungarez Peter Magyar dhe Partia Tisza kanë nisur një operacion të gjerë kundër korrupsionit, me synimin për t’i rikthyer shtetit paratë dhe pasuritë që dyshohet se janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme gjatë viteve të qeverisjes së Viktor Orbánit.
“Rimarrja e pasurisë” ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së Magyarit. Qeveria e re synon jo vetëm rikuperimin e aseteve publike, por edhe ndjekjen ligjore të personave që dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme, mes tyre oligarkë, persona të lidhur me Fidesz-in dhe rrethin e ish-kryeministrit.
Në fushatën zgjedhore, Magyar fliste për rreth 60 miliardë euro pasuri që mund të ishin përvetësuar padrejtësisht, ndërsa tashmë qarkullojnë vlerësime që e çojnë shumën deri në trefishin e kësaj shifre. Pretendimet për përfitime të paligjshme mbeten objekt hetimi dhe verifikimi.
Suksesi i operacionit shihet si një nga testet më të rëndësishme për qeverinë e re, pasi një pjesë e konsiderueshme e pritshmërive të votuesve lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe vënien para përgjegjësisë të përfituesve të sistemit të mëparshëm.
Debati ushqehet edhe nga kontrasti mes pasurisë së grumbulluar nga njerëz të afërt me ish-qeverinë dhe problemeve ekonomike e sociale me të cilat përballet vendi. Kritikët e sistemit të mëparshëm përmendin rezidencat luksoze, avionët privatë, jahtet dhe kontratat e mëdha publike të fituara nga biznesmenë të lidhur me pushtetin, ndërkohë që shkollat, spitalet dhe infrastruktura publike përballen me vështirësi.
Deficiti buxhetor i Hungarisë raportohet se ka arritur në 7.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa largimi i të rinjve dhe presioni mbi standardin e jetesës mbeten ndër problemet kryesore të vendit.
Rreth katër muaj pas ardhjes në pushtet të qeverisë Magyar, operacioni kundër korrupsionit ka nisur të marrë formë institucionale. Në fund të korrikut u krijua me ligj Autoriteti Kombëtar për Rimarrjen dhe Mbrojtjen e Pasurisë, NVVH, i cili pritet të organizohet plotësisht gjatë javëve të ardhshme.
Autoriteti i ri është konceptuar si një institucion me kompetenca të gjera dhe shkallë të lartë pavarësie. Ai do të hetojë mënyrën se si janë përdorur paratë dhe pronat publike, veçanërisht gjatë periudhës së qeverisjes së Orbánit që nisi në vitin 2010.
Në të njëjtën kohë, NVVH do të ketë edhe rol parandalues, duke mbikëqyrur përdorimin e ligjshëm të pasurive dhe fondeve publike në të ardhmen. Institucionit i janë dhënë kompetenca hetimore dhe prokuroriale, ndërsa do t’i raportojë vetëm Parlamentit.
Krijimi i autoritetit ka sjellë megjithatë edhe polemika. Parlamenti emëroi në krye të tij politologen 46-vjeçare Anna Unger, eksperte për sistemet politike, institucionet demokratike dhe financimin e partive në Universitetin Eötvös Loránd të Budapestit.
Unger u përzgjodh përmes një procesi me disa faza mes rreth 100 kandidatëve, por emërimi i saj shkaktoi debat pasi ajo nuk është juriste dhe deri tani nuk njihej gjerësisht si eksperte e specializuar kundër korrupsionit.
Mes emrave që konsideroheshin për postin ishte edhe Miklos Ligeti, drejtues i departamentit juridik të Transparency International Hungari, i cili tashmë përmendet si një nga zëvendësuesit e mundshëm të Ungerit. Ndërkohë, prokurorja Katalin Tasnády është emëruar zëvendësdrejtuese përgjegjëse për sektorin e hetimeve.
Vetë Unger ka argumentuar se gjatë periudhës së Orbánit problemi ka shkuar përtej korrupsionit tradicional, duke e përshkruar sistemin e krijuar si një formë “feudalizmi”. Sipas saj, përveç rikuperimit të pasurive, duhet të zbulohet edhe mekanizmi përmes të cilit është bërë i mundur përvetësimi i tyre, në mënyrë që praktika të tilla të mos përsëriten.
Polemikat u shtuan pasi Unger deklaroi se do të ishte “budallallëk” të pritej që brenda mandatit të parë gjashtëvjeçar të autoritetit të kishte vendime gjyqësore të formës së prerë për çështjet më të mëdha të korrupsionit.
Deklarata shkaktoi kritika nga zëra publikë që kërkojnë rezultate të shpejta. Publicisti Robert Puzsér paralajmëroi se Magyar ka marrë një mandat të fortë nga votuesit për të vënë para përgjegjësisë personat që dyshohet se kanë përfituar nga pasuria publike dhe se pritja për vite të tëra mund të dëmtojë rëndë qeverinë.
Magyar reagoi ndaj kritikave për zgjedhjen e Ungerit, duke deklaruar se nuk kishte pasur asnjë premtim që drejtuesi i autoritetit të zgjidhej përmes një lloj “show castingu”. Sipas tij, ekspertët e përfshirë në proces e kanë vlerësuar Ungerin si personin e përshtatshëm për detyrën.
Politologu Gábor Török e ka cilësuar NVVH-në njëkohësisht si një “institucion historik” dhe një “institucion të fuqishëm politik”. Sipas tij, pritshmëria e publikut është që qeveria e re të bëjë një ndarje të qartë me sistemin e vjetër dhe të sigurojë që personat përgjegjës për abuzimet e mundshme të mos mbeten pa u ndëshkuar.
Për Magyarin dhe Partinë Tisza, rezultatet e këtij procesi pritet të jenë një nga provat kryesore të besueshmërisë së qeverisë së re, pasi lufta kundër korrupsionit dhe rikthimi i pasurive publike ishin ndër premtimet që i sollën në pushtet.


