Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka premtuar përshpejtimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë.
Gjatë turit të tij në kryeqytetet evropiane, Costa u ndal në Lituani, vend që do të marrë presidencën gjashtëmujore të BE-së më 1 janar. Ai e lidhi drejtpërdrejt zgjerimin me sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të kontinentit.
“Kur flasim për sigurinë e Evropës, nuk duhet të harrojmë zgjerimin. Ukraina, Moldavia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor po përparojnë në rrugët e tyre drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Costa.
Sipas tij, zgjerimi përbën një nga investimet më të rëndësishme që BE-ja mund të bëjë për të ardhmen e kontinentit.
“Zgjerimi është investimi më i mirë që ne mund të bëjmë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit tonë. Ne duhet të vijojmë të punojmë me shtetet kandidate përmes një procesi të bazuar në meritë dhe t’i trajtojmë të gjithë në mënyrë të barabartë”, theksoi presidenti i Këshillit Evropian.
Një qëndrim më të kujdesshëm mbajti kryeministri sllovak Robert Fico, qeveria e të cilit ka pasur përplasje të vazhdueshme me Brukselin lidhur me mbështetjen për Ukrainën.
Fico deklaroi se Sllovakia mbështet zgjerimin e Bashkimit Evropian, por vetëm për vendet kandidate që përmbushin të gjitha kushtet e nevojshme për anëtarësim, duke kundërshtuar çdo mundësi për përshpejtimin e procesit përmes shmangies së kritereve.
Çështja e zgjerimit pritet të jetë një nga temat qendrore të samitit të liderëve të Bashkimit Evropian, që do të zhvillohet në Bruksel në mesin e muajit tetor.


