Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka braktisur seancën plenare të Kuvendit gjatë interpelancës së kërkuar nga opozita, duke akuzuar deputetët opozitarë se po e përdorin situatën për qëllime politike dhe jo për një debat serioz parlamentar.
Lamallari ishte thirrur në Kuvend për të dhënë shpjegime mbi çështje që lidhen me rendin dhe sigurinë publike, por pas tensioneve dhe debateve në sallë, ai deklaroi se nuk iu dha mundësia të fliste dhe vendosi të largohej për t’u fokusuar te situata e rëndë e krijuar në Korçë, ku një efektiv i forcave “Shqiponja” humbi jetën gjatë një ngjarjeje kriminale.
Ministri e cilësoi të papranueshme sjelljen e opozitës, veçanërisht pas mbajtjes së një minute heshtje në nderim të efektivit të vrarë.
“Kam kërkuar disa herë fjalën dhe nuk më është dhënë. Të mbash një minutë heshtje për një efektiv të vrarë dhe të bësh më pas një teatër të tillë, është e turpshme. Ruaji Zot këta njerëz që janë të gatshëm të ecin mbi viktima vetëm për të marrë çfarë kërkojnë”, u shpreh Lamallari.
Gjatë debatit, një nga deputetët që kërkoi dorëheqjen e ministrit ishte deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili e lidhi përgjegjësinë politike të ministrit me ngjarjen tragjike të ndodhur në zonën e Maliqit.
Lamallari iu përgjigj ashpër opozitës, duke i akuzuar se nuk kishin interes për të dëgjuar përgjigjet e tij, por vetëm për të krijuar përplasje politike.
“Ju pyesni ministrin e Brendshëm dhe vetëm të flisni nuk e lini. Ju shkoni në protestë, të bëni ndonjë reels, sepse vetëm frymëzim nuk jepni. Ju, zoti Shehaj, keni dalë nga kjo parti dhe nuk ju beson njeri”, deklaroi ai gjatë fjalës së tij në sallë.
Ministri bëri të ditur se gjatë zhvillimit të seancës ishte në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e Policisë së Shtetit për të ndjekur situatën në Korçë dhe informoi deputetët se efektivi tjetër i plagosur gjatë ngjarjes ndodhej jashtë rrezikut për jetën.
“Po komunikoja me drejtorin e Policisë së Shtetit, i cili më njoftoi se efektivi i plagosur është jashtë rrezikut. Atje do të menaxhohet situata në maksimum dhe do të merren masat e duhura”, tha Lamallari.
Në përfundim, ministri deklaroi se prania e tij në Korçë ishte më e rëndësishme sesa qëndrimi në sallën e Kuvendit.
“Unë erdha për interpelancën, por vetëm e tillë nuk është.


