Kuvendi i Shqipërisë rikthehet këtë të martë në aktivitet pas pushimit veror, duke çelur një sesion të ri parlamentar që pritet të shoqërohet nga debate të forta politike brenda dhe jashtë sallës.
Deputetët do të mblidhen në orën 17:00 në seancën e parë plenare. Edhe pse Kushtetuta parashikon që sesioni i vjeshtës të nisë të hënën e parë të shtatorit, këtë vit rikthimi është shtyrë me një ditë për shkak të pushimit zyrtar.
Seanca e parë pritet të ketë kryesisht karakter ceremonial. Fjalën hapëse do ta mbajë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndërhyrje edhe nga drejtuesit e grupeve parlamentare.
Një prej zhvillimeve që pritet të shoqërojë nisjen e sesionit lidhet me ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu. Sipas burimeve, dekreti i Presidentit pritet të jetë gati me nisjen e punimeve të Kuvendit, duke i hapur rrugën procedurave për marrjen e detyrës.
Pas kësaj, socialistët pritet të propozojnë një emër të ri për postin e nënkryetarit të Kuvendit, detyrë që më herët mbahej nga Spahiu.
Në seancën e parë nuk pritet të jetë i pranishëm kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Konventën e Republikanëve. Ndërkohë, mbetet ende e paqartë nëse Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në seancën hapëse.
Rikthimi i deputetëve pritet të shoqërohet edhe me protesta jashtë godinës së Kuvendit. Qytetarët që protestojnë prej afro 100 ditësh në shesh kanë paralajmëruar se do të mblidhen sërish përpara Parlamentit në ditën e parë të sesionit.
Për këtë arsye, Policia e Shtetit pritet të marrë masa të shtuara sigurie dhe të krijojë një perimetër për të garantuar hyrjen dhe lëvizjen e deputetëve.
Përtej seancës së parë, një prej çështjeve që pritet të dominojë axhendën politike gjatë muajve të ardhshëm është reforma territoriale.
Gjatë gushtit, socialistët hodhën idenë e ndryshimit të hartës administrative, duke propozuar reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Propozimi ka hapur një tjetër debat mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa puna për reformën vijon ende pa një rezultat përfundimtar.
Në sfond janë edhe zgjedhjet vendore të vitit 2027, të cilat pritet të ndikojnë gjithnjë e më shumë në axhendën politike. Mazhoranca ka nisur lëvizjet për të forcuar kontaktet me bazën dhe qytetarët, ndërsa edhe opozita ka paralajmëruar përgatitjet për garën e ardhshme lokale.
Kështu, pavarësisht karakterit kryesisht formal të seancës hapëse, reforma territoriale, përgatitjet për zgjedhjet vendore dhe përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës pritet të sjellin një sesion të ngarkuar politik në Kuvend.


