Kuvendi mban një minutë heshtje për Servet Pëllumbin, Peleshi vlerëson figurën e tij
Kuvendi i Shqipërisë mbajti sot një minutë heshtje në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë në moshën 89-vjeçare.
Në nisje të seancës plenare, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vlerësoi figurën politike dhe akademike të Pëllumbit, të cilin në radhët e Partia Socialiste e thërrisnin “Profesori”.
Peleshi theksoi se Pëllumbi ka qenë deputet në disa legjislatura që nga viti 1991 dhe ka luajtur rol të rëndësishëm gjatë periudhës së tranzicionit politik në Shqipëri.
“Servet Pëllumbi i shërbeu Shqipërisë në vite të vështira, duke qenë pjesë e intelektualëve që u angazhuan në ndryshimet demokratike,” u shpreh ai.
Kreu i Kuvendit vlerësoi gjithashtu kontributin e tij në themelimin dhe konsolidimin e së majtës moderne në vend, si dhe rolin drejtues në zhvillimin e pluralizmit politik.
Peleshi kujtoi se gjatë viteve 2002–2005, Pëllumbi ka shërbyer si kryetar i Kuvendit, duke e cilësuar drejtimin e tij si të matur, të urtë dhe vizionar.
Ai shtoi se Pëllumbi ka lënë një trashëgimi të rëndësishme akademike në shkencat politike dhe sociologjike dhe ka formuar breza të tërë studentësh.
Në fund të fjalës së tij, Peleshi ftoi deputetët të nderonin figurën e ish-kryetarit të Kuvendit me një minutë heshtje.







