Japonia vlerëson Shqipërinë si partnere strategjike, Takaichi mirëpret Ramën në Tokio

22 May 2026 18:08
Shpërndaje:

Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka shprehur kënaqësinë për vizitën zyrtare të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Tokio, duke theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fusha kyçe.

Në nisje të takimit mes dy delegacioneve, pas pritjes zyrtare, Takaichi deklaroi: “E mirëpres me zemër vizitën e Kryeministrit Rama, sot. Jam shumë e lumtur që kam mundësinë t’Ju takoj për herë të parë”.

Ajo nënvizoi se Shqipëria konsiderohet një partnere e rëndësishme për Japoninë, duke shtuar se të dy vendet ndajnë vlera dhe parime të përbashkëta që shërbejnë si bazë për një bashkëpunim afatgjatë.

Reklamë Ola

“Ne jemi të kënaqur që negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme”, tha Takaichi, duke konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë për integrimin europian të Shqipërisë.

Sipas saj, në kuadër të Nismës së Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor, Japonia do të vijojë të mbështesë fuqimisht këtë proces, duke e konsideruar stabilitetin e rajonit si një element kyç për sigurinë dhe zhvillimin ndërkombëtar.

Reklamë InterMedika

Takaichi vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar kontributin aktiv në ruajtjen e stabilitetit në një rajon me histori komplekse.

“I shpreh respekt Shqipërisë për kontributin aktiv që jep në stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ajo.

Në fjalën e saj, kryeministrja japoneze falënderoi gjithashtu Shqipërinë për mbështetjen ndaj vizionit japonez për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, një strategji që synon rritjen e bashkëpunimit dhe qëndrueshmërisë në rajon.

“Këtë muaj, në përvjetorin e dhjetë të shpalljes së këtij vizioni, ne prezantuam versionin e përditësuar, duke vendosur autonominë dhe qëndrueshmërinë si dy elemente thelbësore, me synimin që i gjithë rajoni të bëhet më i fortë dhe më i begatë”, tha Takaichi.

Ajo theksoi se, në një kohë kur siguria e Europës, Atlantikut dhe Indo-Paqësorit po bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur, Japonia synon të thellojë më tej bashkëpunimin me Shqipërinë në nivele strategjike.