“Integrimi Europian, projekti më i rëndësishëm i Shqipërisë”
Integrimi Europian është projekti më i rëndësishëm i Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.
E ftuar në emisionin “Për të fol” në Tv Skan, studiuesja dhe pedagogia e Universitetit të Tiranës, Odeta Berberi foli mbi sfidat dhe pritshmëritë ndaj këtij procesi kaq të rëndësishëm për Shqipërinë.
Shqipëria momentalisht ndodhet në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit europian. Ka hapur bisedimet për anëtarësim bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe pret mbajtjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Pyetjes së gazetares nëse metodologjia e re e zgjerimit ishte ajo që i dha mundësinë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave, Berberi u shpreh se “Metodologjia e re e publikuar në shkurt të këtij viti ishte sigurisht një mënyrë për të zhbllokuar procesin e cila kujtojmë u bllokua për shkak të “JO’-së së Francës e cila e argumentoi në nevojën për të rishikuar procesin e zgjerimit. Ndonëse politika e zgjerimit konsiderohet një nga politikat më të suksesshme të Bashkimit Evropian për shkak se promovon demokracinë dhe vlerat e të drejtave të njeriut jashtë kontureve të BE-së, vitet e fundit ajo ka shfaqur problematika dhe një impasse vis a vis vëndeve të Ballkanit Perëndimor”.
Në lidhje me metodologjinë e re dhe impaktin e kësaj të fundit në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, Berberi theksoi ndër të tjera se grupimi i kapitujve në gjashtë tematika do të lehtësojë procesin dhe adreson një nga kritikat e procesit të negociatave që duket një process pa fund nga eksperienca e dy vendeve fqinje, Mali i Zi dhe Serbi që deri më tani kanë mundur të hapin një numër të konsiderueshëm kapitujsh por kanë mbyllur shumë pak prej tyre.
Mbi pritshmëritë e Shqipërisë në muajt në vazhdim, Berberi theksoi që Kolegji i Komisionerëve të BE-së pritet që të publikojnë kuadrin negociues më 8 qershor e cila më pas do të duhet të miratohet nga Këshilli Europian. Megjithatë theksoi Berberi ‘vendimi i Këshillit Evropian për çeljen e negociatave u shoqërua me disa parakushte që vendi duhet të realizojë përpara marrjes së vendimit për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, ndër të cilat reforma zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, vazhdimësia në reformën e drejtësisë, përparim në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimi i të drejtave të minoriteteve etj”.
Në lidhje me përparimin në këto parakushte dhe mënyrën e vlerësimit nga BE, Odeta Berberi theksoi se “për shkak të kompleksitetit të këtyre parakushteve sigurisht nuk pritet një realizim i plotë i tyre, por përparimi duhet të jetë i dukshëm bazuar në tregues specifikë dhe të mirëfilltë.Për këtë arsye në përparimin e tyre kërkohet angazhimi i të gjithë institucioneve dhe aktorëve vendimarrës ”.
Në mbyllje të intervistës Berberi theksoi që “ axhenda Evropiane është i rëndësishëm për Shqipërinë jo vetëm për të përparuar në këtë rrugëtim por sepse reformat dhe kërkesat janë të rëndësishme për shqiptarët për të përmirësuar përditshmërinë e tyre”.
Eunews.al