×
Wednesday, July 8, 2020

Grenell: Kosova e Serbia e meritojnë vëmendjen e BE-së

July 8, 2020

I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, shprehu mbështetjen e plotë për udhëheqjen e liderëve evropianë në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Jemi të lumtur që evropianët do të mblidhen në një takim më 10 korrik për diskutime të mëtejshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë totale dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre”, shkroi Grenell në Twitter.

Më 10 korrik, përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë do të takohen virtualisht në një samit të organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Shpresojmë se çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave do të përfundojë në këtë takim. Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë për të vënë theksin mbi normalizimin ekonomik midis palëve, sepse besojmë se ai është hapi i parë thelbësor në këtë mosmarrëveshje të gjatë politike”, tha Grenell.

Në një seri postimesh në Twitter, ai shfaqi shpresën se evropianët do ta bëjnë prioritet të lartë zbatimin e marrëveshjeve për transport ajror, hekurudhor dhe rrugor midis Kosovës dhe Serbisë.

Delegacionet nga Kosova dhe Serbia, këto marrëveshje apo letra të qëllimit i kanë nënshkruar në fillim të këtij viti në Gjermani, me ndërmjetësimin e Grenellit.

“Ne shpresojmë se këto marrëveshje janë thelbësore për krijimin e vendeve të punës dhe shpresë për të rinjtë. Ne asnjëherë nuk kemi besuar në një zgjidhje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë, në një vit zgjedhor. Dhe, kurrë nuk kemi menduar se përqendrimi ynë i vetëm në normalizimin ekonomik do të ishte një zgjidhje e shpejtë”, tha Grenell.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen në nëntor të këtij viti.

Grenell po ashtu tha se çështjet e vështira dhe afatgjate politike “do të jenë më të lehta për t’u përballur, pasi të kenë përparuar së pari çështjet ekonomike”.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të provojë ide të reja dhe kreative, nëse duam të përparojmë ndonjëherë. Dhe, populli i Kosovës dhe Serbisë e meritojnë vëmendjen e plotë dhe të vazhdueshme të Evropës”, tha Grenell.

Më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nikoqir i këtij takimi do të jetë shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evrpian, Josep Borrell.

Takimi do të jetë i pari midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, qysh në fund të vitit 2018

Atëbotë, dialogu është ndërprerë për shkak të një takse që u ka vënë Kosova prodhimeve të Serbisë. Autoritetet në Kosovë tani i kanë hequr barrierat tregtare me shtetin serb.

Një takim midis Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, nuk është mbajtur, pasi pak ditë para tij Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Pas paraqitjes së aktakuzës, Thaçi ka anuluar pjesëmarrjen në takimin në Shtëpinë e Bardhë, e pas tij edhe Hoti.

Grenell, i cili ka qenë organizator i atij takimi, ka paralajmëruar më herët se do të riorganizojë një tjetër së shpejti.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për