Gogu prezanton projektligjin për amnistinë: Përfitojnë 380 persona, 900 të tjerë ulje dënimi

08 Jun 2026 11:58
Shpërndaje:

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve projektligjin për amnistinë penale, duke theksuar se nga kjo nismë do të përfitojnë qindra persona, ndërsa të dënuarit për korrupsion dhe krim të organizuar nuk do të përfshihen.

Gjatë fjalës së tij, Gogu deklaroi se projektligji parashikon lirimin e menjëhershëm të 380 personave dhe uljen e dënimit për rreth 900 të tjerë.

“Pa u zgjatur dua ta nis me tre numra. 380 persona fitojnë lirim të menjëhershëm nga ky projektligj që ne kemi sjellë. 900 persona përfitojnë ulje të dënimit. Zero persona të dënuar për korrupsion, krim të organizuar dhe çështje në kompetencë të strukturave të posaçme antikorrupsion përfitojnë nga kjo amnisti. I përmenda këto tre numra sepse përmbledhin filozofinë e këtij projektligji”, u shpreh ministri.

Reklamë Ola

Sipas tij, amnistia synon të ofrojë një mundësi riintegrimi për kategori të caktuara të të dënuarve, duke ruajtur njëkohësisht qëndrimin e pandryshuar ndaj veprave të rënda penale dhe rasteve të korrupsionit.

Projektligji pritet të shqyrtohet më tej në komisionet parlamentare përpara se të kalojë për votim në seancë plenare.

Reklamë InterMedika