Gjermania forcon shërbimet sekrete, BND merr kompetenca për sabotazh dhe sulme kibernetike

12 Aug 2026 21:30
Shpërndaje:

Qeveria e kancelarit Friedrich Merz ka miratuar një reformë të gjerë të shërbimeve të inteligjencës, e cila synon t’i japë Gjermanisë më shumë kapacitete për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga shtete të huaja, veçanërisht Rusia.

Sipas reformës së miratuar nga kabineti, agjentët e shërbimit të inteligjencës së jashtme, BND, mund të marrin kompetenca për kryerjen e akteve të sabotimit, operacioneve kibernetike ofensive dhe veprimeve më agresive të spiunazhit.

Deri më tani, aktiviteti i BND-së ka qenë kryesisht i kufizuar në mbledhjen e informacionit, për shkak të kufizimeve të vendosura në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore.

Reklamë Ola

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, tha se Gjermania është çdo ditë objektiv i spiunazhit, sabotimit, sulmeve kibernetike dhe operacioneve të fshehta nga fuqi të huaja.

“Detyra jonë është të përshtatim vazhdimisht mandatin mbrojtës të shtetit me këto skenarë të rinj kërcënimi”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Reforma vjen mes shqetësimeve në rritje për operacionet hibride ruse, por edhe për varësinë e madhe të Gjermanisë nga informacionet e inteligjencës të siguruara nga aleatët, veçanërisht Shtetet e Bashkuara.

Nina Warken, e cila mbikëqyr reformën e BND-së, pranoi se Berlini është mbështetur së tepërmi tek partnerët ndërkombëtarë për operacione të sofistikuara të inteligjencës.

“Jemi thjesht shumë të varur nga mbështetja e shërbimeve të inteligjencës të vendeve të tjera”, tha ajo.

Debati për forcimin e BND-së është intensifikuar edhe pas zbulimit javën e kaluar të një droni me eksploziv pranë aeroportit Leipzig-Halle, afër një avioni ukrainas Antonov që përdorej për transportimin e municioneve. Hetimet për incidentin vijojnë, ndërsa Dobrindt e ka cilësuar atë si një kërcënim të mundshëm hibrid të lidhur me aktorë të huaj.

Sipas projektit, shërbimet gjermane mund t’u përgjigjen kërcënimeve hibride përmes një sërë masash aktive. Ato mund të përfshijnë ekspozimin e personave përgjegjës, dëmtimin e pronës së tyre, sabotimin e eksplozivëve përpara një sulmi apo furnizimin e kundërshtarëve me informacione të rreme.

Megjithatë, çdo kundërpërgjigje duhet të lidhet drejtpërdrejt me kërcënimin fillestar dhe nuk duhet të rrezikojë jetën apo sigurinë fizike të personave.

BND-së pritet t’i lehtësohen gjithashtu kufizimet për mbrojtjen e të dhënave, duke i krijuar më shumë hapësirë për përdorimin e inteligjencës artificiale, teknologjisë së njohjes së fytyrës dhe ruajtjen e të dhënave për periudha më të gjata.

Paralelisht, qeveria ka rritur me rreth 26% buxhetin e BND-së për këtë vit, duke e çuar në 1.51 miliardë euro.

Reforma duhet të miratohet ende nga të dyja dhomat e parlamentit gjerman dhe synohet të hyjë në fuqi gjatë vitit 2027.