×
Thursday, June 25, 2026

Ferit Hoxha uron Kosovën për zgjedhjet: Presim formimin e institucioneve të reja

June 9, 2026


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, duke uruar qytetarët, institucionet përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor dhe subjektet politike pjesëmarrëse.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha vlerësoi pjekurinë demokratike dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë zhvillimit të zgjedhjeve, duke theksuar rëndësinë e procesit për të ardhmen e vendit.

Ai shprehu gjithashtu pritshmërinë për formimin e institucioneve të reja që do të dalin nga vullneti i qytetarëve, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

“Urime Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj, institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, si dhe të gjitha subjekteve politike pjesëmarrëse, për pjekurinë demokratike dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare.

Ne presim me shumë interes formimin e institucioneve të reja që burojnë nga vullneti i zgjedhësve, për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë, forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të gjithanshme në të mirë të interesave tona reciproke dhe të përbashkëta, si dhe për avancimin në rrugëtimin drejt së ardhmes sonë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike”, shkroi ministri Ferit Hoxha.




Comments are closed.