Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri të ditur se shtetasi shqiptar Baki Goxhaj, i cili ishte pjesë e flotiljes “Global Sumud”, është tashmë rrugës për t’u kthyer në Shqipëri.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Hoxha sqaroi se autoritetet shqiptare kanë ndjekur rastin që nga momenti i parë i sinjalizimit, duke u angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për zgjidhjen e situatës. Ai theksoi se strukturat e Shërbimit të Jashtëm kanë bashkëpunuar ngushtë me institucionet e tjera shqiptare dhe kanë qenë në komunikim të pandërprerë me autoritetet izraelite.
Sipas ministrit, Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe të qëndrueshëm gjatë gjithë procesit, duke kërkuar respektimin e plotë të të drejtave të shtetasit shqiptar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe normat humanitare. Ai nënvizoi se çdo formë trajtimi e papranueshme është kundërshtuar nga pala shqiptare.
“Ky rast është një tjetër dëshmi e përkushtimit të përditshëm dhe e punës profesionale të Shërbimit të Jashtëm, përfshirë përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, për t’u gjendur pranë qytetarëve shqiptarë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë institucional”, u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se ky angazhim është pjesë e misionit themelor të institucioneve shqiptare për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të qenë pranë qytetarëve, sidomos në situata të vështira jashtë vendit.
“Ky është misioni ynë: të përfaqësojmë e mbrojmë interesat e Republikës së Shqipërisë dhe ato kombëtare, të jemi pranë qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në momentet kur ata kanë më shumë nevojë për mbështetjen, kujdesin dhe angazhimin e shtetit të tyre”, përfundoi ministri.
Rasti i Baki Goxhajt lidhet me ndalimin e aktivistëve që ishin pjesë e flotiljes humanitare “Global Sumud”, një iniciativë ndërkombëtare për dërgimin e ndihmave në Gaza, e cila ka qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare ditët e fundit.


