×
E shtunë, 16 Janar, 2021

Biden: Senati mos vonojë miratimin e anëtarëve të kabinetit gjatë gjykimit të Trump

14 Janar, 2021

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së Joe Biden, pasi Dhoma e Përfaqësuesve votoi për fajësimin ndaj presidentit Donald Trump me një nen të vetëm, nxitje të kryengritjes, kërkoi nga Senati që të mos vonojë çështjet e rëndësishme si miratimi i anëtarëve të kabinetit gjatë procesit të gjykimit.

“Sot, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve ushtruan kompetencat e dhëna atyre nga kushtetuta jonë dhe ngritën akuza për ta mbajtur presidentin përgjegjës”, theksoi Biden.

Ai tregoi se akuzat drejtuar ndaj Trump për “nxitje të kryengritjes” janë mbështetur nga të dyja partitë, Demokrate dhe Republikane, duke shtuar se procesi do të vazhdojë në Senat.

Biden kërkoi që gjatë procesit të gjykimit në Senat të mos vonohen çështjet e rëndësishme si miratimi i anëtarëve të kabinetit.

“Ky vend është gjithashtu në kthetrat e një virusi vdekjeprurës dhe një ekonomie të tronditur. Ndërkohë që Senati përmbush përgjegjësitë e tij kushtetuese në të njëjtën kohë shpresoj se do të merret edhe me detyra të tjera urgjente si miratimi i pozicioneve kryesore siç janë Sekretari i Sigurisë së Brendshme, të Shtetit, Mbrojtjes, Thesarit, Drejtorisë Kombëtare të Inteligjencës, si dhe vënia e programit të vaksinimit dhe ekonomisë në rrugën e duhur”, theksoi Biden.

Kujtojmë se, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi për fajësimin ndaj presidentit Donald Trump me një nen të vetëm, nxitje të kryengritjes, duke e bërë atë presidentin e parë në historinë e vendit i cili fajësohet për herë të dytë në shtëpinë ligjvënëse.

Me 232 vota pro dhe 197 kundër, votimi tani e dërgon çështjen në Senat për një gjyq që pritet të fillojë jo më parë se 19 janari.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për