Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se është kundër çdo forme diskriminimi dhe çdo thirrjeje antisemite në protestat që po zhvillohen kundër projektit në Zvërnec.
Në një prononcim për mediat, Balla tha se protesta nisi si një reagim për mbrojtjen e flamingove, por sipas tij, tashmë është politizuar nga Partia Demokratike.
“Padyshim që dje ishte edhe e gjithë Partia Demokratike në protestë, nga kampioni i protestave të Partisë Demokratike, Sali Lusha, te gjysma e grupit parlamentar dhe drejtues të strukturave të saj. Nuk më bën përshtypje që një protestë që nisi për flamingot, sot ka marrë një drejtim tjetër. Bufat kanë filluar të ndjejnë veten si flamingo”, u shpreh ai.
Duke folur për investimin e planifikuar në Zvërnec, Balla theksoi se Shqipëria nuk mund të heqë dorë nga projekte të rëndësishme zhvillimore që sjellin investime dhe ndikim ekonomik për vendin.
“Shqipëria nuk e ka luksin të humbë një projekt aq të rëndësishëm”, deklaroi ai.
Balla nënvizoi gjithashtu se Partia Socialiste ka marrë një mandat të qartë nga qytetarët për të vijuar reformat dhe procesin e integrimit europian.
Sipas tij, shumica parlamentare po çon përpara një sërë nismash ligjore që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
“Ne kemi një kontratë me shqiptarët, të vulosur me votë plebishitare, për të çuar përpara reformat. Sot votuam shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të një pakete ligjesh që lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian”, tha Balla.
Ai shtoi se zhvillimi ekonomik dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbeten prioritetet kryesore të qeverisë dhe se projektet strategjike nuk duhet të pengohen nga debatet politike.


