Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka zhvilluar takime me strukturat vendore dhe ato të kufirit në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Lezhë, në kuadër të intensifikimit të masave për sundimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë në territor.
Në qendër të takimeve ishin parandalimi dhe goditja e veprimtarive kriminale, krimet e rënda, kultivimi dhe trafikimi i narkotikëve, siguria publike dhe rrugore, masat për nisjen e vitit të ri shkollor, si dhe etika dhe shërbimi ndaj qytetarëve.
Hita kërkoi angazhim maksimal të strukturave të Policisë Kriminale për sigurimin e informacionit dhe ndërhyrje të menjëhershme ndaj personave që qarkullojnë me armë zjarri, armë të ftohta, lëndë eksplozive apo narkotike, si dhe ndaj personave të përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.
“Të punohet me hetime proaktive për të evidentuar dhe goditur grupet kriminale dhe të intensifikohet puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë”, kërkoi Hita.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë theksoi se situata duhet të ndryshojë menjëherë si në drejtim të krimeve të rënda, ashtu edhe në luftën kundër kultivimit të kanabisit.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte siguria rrugore. Sipas Policisë, pavarësisht përdorimit të mjeteve inteligjente dhe angazhimit të strukturave të Policisë Rrugore, çdo ditë evidentohen një numër i madh shkeljesh që përbëjnë rrezik për aksidente.
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Hita kërkoi masa të shtuara për garantimin e sigurisë së nxënësve. Masat duhet të përfshijnë jo vetëm sigurinë fizike dhe rrugore, por edhe sigurinë kibernetike dhe atë ushqimore, kjo e fundit në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.
Vëmendje iu kushtua edhe marrëdhënies së Policisë me qytetarët. Hita kërkoi nga drejtuesit e qarqeve dhe shefat e komisariateve të jenë më të aksesueshëm, të presin qytetarët, t’u përgjigjen telefonatave dhe të ndjekin në mënyrë dinamike shqetësimet që janë në kompetencë të Policisë së Shtetit.
Në takimet me strukturat e Policisë Kufitare, Hita kërkoi respektimin e etikës në komunikimin me qytetarët në pikat e kalimit kufitar, luftë pa kompromis kundër krimeve kufitare dhe forcimin e bashkëpunimit me homologët ndërkombëtarë.
Ai kërkoi gjithashtu koordinim më të mirë të strukturave për menaxhimin e flukseve dhe eliminimin e radhëve në pikat e kalimit kufitar.


