Mitsotakis shpall paketën e re ekonomike në Greqi: Rritje pagash, ulje taksash dhe mbështetje për familjet

06 Sep 2026 10:50
Shpërndaje:

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka prezantuar nga Panairi i 90-të Ndërkombëtar i Selanikut një paketë të gjerë masash ekonomike dhe sociale, që përfshin rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e taksave për qytetarët dhe bizneset, mbështetje për fermerët dhe familjet, si dhe ndërhyrje në strehim dhe kostot e energjisë elektrike.

“Le të bëhet dinamika e vendit përparim për të gjithë”, deklaroi Mitsotakis, duke paraqitur një sërë ndërhyrjesh që do të zbatohen gradualisht gjatë viteve të ardhshme.

Për profesionistët e vetëpunësuar parashikohet ulja e të ardhurave të supozuara mbi të cilat llogaritet tatimi për ata që janë të rregullt me detyrimet. Gjithashtu do të hiqen rritjet shtesë të lidhura me xhiron dhe pagat e personelit. Masa do të zbatohet për vitin tatimor 2026 dhe do të reflektohet në deklaratat e vitit 2027.

Reklamë Ola

Për profesionistët në vendbanimet me më pak se 2 mijë banorë, ose 2.200 në Maqedoninë Perëndimore, të ardhurat e supozuara tatimore do të ulen me 50%. Qeveria solli si shembull një biznes ushqimi me 15 vite aktivitet, pesë punonjës dhe 105 mijë euro shpenzime për paga, i cili pritet të përfitojë rreth 2.534 euro në vit.

Paradhënia e tatimit për të vetëpunësuarit do të ulet gjithashtu nga 55% në 50% për vitin tatimor 2027.

Reklamë InterMedika

Lehtësime parashikohen edhe për bizneset. Paradhënia e tatimit do të ulet me 5% në vit, duke nisur nga viti tatimor 2028, derisa të arrijë në 50%, nga 80% që është aktualisht.

Në të njëjtën kohë, 1.5 miliardë euro nga Fondi i Rimëkëmbjes dhe Reziliencës do t’i transferohen Bankës Greke të Zhvillimit për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Nga kjo shumë, 1.1 miliardë euro do të përdoren për kredi dhe 400 milionë euro për garanci.

Tarifa e ushtrimit të profesionit do të hiqet në rajonet jashtë Atikës për vitin tatimor 2026. Në Atikë do të ulet me 50% në vitin 2028 dhe do të hiqet plotësisht në vitin 2029.

Ndryshime të rëndësishme janë paralajmëruar edhe për pensionistët. Duke filluar nga nëntori 2026, ndihma e përhershme vjetore do të rritet me 100 euro, duke arritur në 400 euro neto. Përfitues do të jenë të gjithë personat mbi 65 vjeç.

Për punonjësit e sektorit privat, qeveria synon që paga minimale të arrijë në 1 mijë euro deri në janar 2028, ndërsa me shtesat e vjetërsisë mund të shkojë deri në 1.300 euro. Nga prilli 2027 do të ulen me 0.5 pikë përqindjeje të tjera edhe kontributet e sigurimeve shoqërore të punonjësve.

Paketa përfshin edhe nëpunësit e sektorit publik. Duke filluar nga dhjetori 2027, ata do të marrin një bonus Krishtlindjesh prej 500 eurosh bruto. Deri në janar 2028 parashikohen gjithashtu rritje të tjera pagash prej 80 eurosh bruto në muaj, të lidhura me rritjen e pagës minimale.

Masa të veçanta janë parashikuar për fermerët profesionistë. Norma e tatimit mbi të ardhurat deri në 20 mijë euro do të bëhet zero duke filluar nga viti tatimor 2026, ndërsa pragu minimal i të ardhurave të patatueshme do të rritet me 13.571 euro, duke arritur në 22.204 euro.

Sipas shembujve të paraqitur nga qeveria greke, një fermer me të ardhura vjetore prej 20 mijë eurosh, i cili më parë paguante 1.183 euro tatim, nuk do të paguajë më tatim. Për një fermer me të ardhura prej 30 mijë eurosh, detyrimi pritet të ulet nga 5.083 në 2.183 euro.

Një pjesë e rëndësishme e paketës i kushtohet politikave demografike. Qeveria do të krijojë një “llogari kursimi për brezin e ri” për fëmijët e porsalindur deri në moshën dy vjeç. Shteti do të depozitojë të njëjtën shumë që vendosin prindërit, deri në 1.200 euro në vit, ndërsa kufiri do të rritet me 10% çdo pesë vjet. Sipas përllogaritjeve të paraqitura, në moshën 18-vjeçare shuma e akumuluar mund të kalojë 60 mijë euro.

Familjet me tre fëmijë do të përfitojnë heqjen e plotë të tatimit mbi të ardhurat deri në 20 mijë euro, duke nisur nga viti tatimor 2027. Pragu i të ardhurave të patatueshme për këto familje do të arrijë në 25.364 euro.

Për familjet me shumë fëmijë do të rritet bonusi i lindjes me 1 mijë euro për çdo fëmijë shtesë. Masa do të zbatohet për lindjet pas janarit 2026. Për fëmijën e katërt, bonusi do të rritet nga 3.500 në 4.500 euro, ndërsa për të pestin nga 3.500 në 5.500 euro.

Nga viti 2027, përfitimet për personat me aftësi të kufizuara do të indeksohen sipas inflacionit. Masa pritet të prekë rreth 218 mijë qytetarë, me një përfitim mesatar vjetor prej 220 eurosh.

Në sektorin e strehimit, Mitsotakis njoftoi programin “Shtëpia ime 3”, me një fond prej 2 miliardë eurosh që do të zbatohet përmes Bankës Greke të Zhvillimit.

Qeveria parashikon gjithashtu rritjen nga 3% në 15% të taksës së transferimit të pronës për blerjen e banesave nga shtetas të vendeve jashtë Bashkimit Europian, ndërsa taksa ENFIA do të hiqet në vendbanimet me deri në 2 mijë banorë dhe deri në 2.200 banorë në Maqedoninë Perëndimore, duke filluar nga viti 2027.

Paketa përfshin edhe ndërhyrje në kostot e energjisë. Qeveria greke synon një ulje graduale me 30% të çmimit me shumicë të energjisë elektrike gjatë periudhës 2027-2029.

Nga janari 2027 parashikohet gjithashtu përgjysmimi i tarifave të shërbimeve me interes të përbashkët në faturat e energjisë elektrike për familjet.

Me paketën e prezantuar në Selanik, qeveria Mitsotakis synon të kombinojë lehtësimin e barrës fiskale me rritjen e të ardhurave, mbështetjen e familjeve dhe bizneseve dhe uljen e kostove të jetesës gjatë viteve të ardhshme.