Federata Europiane e Futbollit (UEFA) ka dënuar Crvena Zvezdën e Beogradit dhe Borac Banjallukën për sjellje raciste dhe diskriminuese të tifozëve, pas homazheve të bëra për Ratko Mlladiçin, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Incidentet ndodhën më 27 gusht, ditën e vdekjes së Mlladiçit, gjatë ndeshjeve të dy klubeve në kompeticionet europiane.
Në ndeshjen e Crvena Zvezdës kundër Viktoria Plzen në Çeki, tifozët e klubit serb shpalosën pankarta me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit”, ndërsa brohoritën emrin e Ratko Mlladiçit.
Pas incidentit, Qendra Përkujtimore e Srebrenicës i kërkoi UEFA-s që Crvena Zvezda të përjashtohej përgjithmonë nga kompeticionet europiane. Vetë klubi publikoi më pas në profilet e tij zyrtare në rrjetet sociale fotografi nga ndeshja, ku pankartat shiheshin qartë.
Komisioni Disiplinor i UEFA-s vendosi një sërë masash ndaj klubit të Beogradit. Crvena Zvezda u gjobit me 40 mijë euro për sjellje raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve dhe me 50 mijë euro të tjera për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive.
Klubi u gjobit gjithashtu me 8.250 euro për sjelljen e pahijshme të ekipit gjatë ndeshjes në Plzen. Në total, gjobat arrijnë në 98.250 euro.
UEFA vendosi gjithashtu që Crvena Zvezda të mos mund t’u shesë bileta tifozëve të saj për ndeshjen e ardhshme që skuadra do të zhvillojë si mysafire në një kompeticion europian.
Një incident i ngjashëm u regjistrua të njëjtën ditë edhe në ndeshjen mes Borac Banjallukës dhe Vikingur Reykjavik, ku në tribunat e stadiumit të qytetit në Banjallukë iu bë homazh Mlladiçit.
Për sjelljen raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve, UEFA e dënoi Borac Banjallukën me një gjobë prej 30 mijë eurosh dhe urdhëroi mbylljen e pjesshme të stadiumit në ndeshjen e ardhshme të klubit në një kompeticion europian.
Borac u gjobit gjithashtu me 4 mijë euro për sjelljen e pahijshme të ekipit dhe me 3.500 euro për ndezjen e mjeteve piroteknike.
Ndërkohë, anëtari i stafit teknik të klubit, Bogolub Zhelkoviq, u dënua me një gjobë prej 2 mijë eurosh për fyerjen e një zyrtari të ndeshjes.


