Kisha Katolike kremton Shën Nënë Terezën, simbolin shqiptar të mëshirës dhe përkushtimit

05 Sep 2026 14:21
Shpërndaje:

Kisha Katolike kremton më 5 shtator Shën Nënë Terezën, në përvjetorin e ndarjes së saj nga jeta, duke kujtuar figurën dhe veprën e humanistes shqiptare që ia kushtoi jetën të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë.

Misionaret e Bamirësisë, urdhri i themeluar prej saj, e kremtojnë këtë ditë me agjërim dhe lutje, ndërsa në vende të ndryshme të botës kujtohet trashëgimia që Nënë Tereza la përmes misionit të saj humanitar.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës”, shprehej Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në vitin 1910 në Shkup nga prindër shqiptarë.

Reklamë Ola

Në vitin 1929, ajo shkoi si misionare në Kalkuta të Indisë, ku nisi rrugëtimin që do ta shndërronte në një prej figurave më të njohura të veprimtarisë humanitare në botë. Më vonë, misioni i saj u zgjerua edhe në vendet e kampit socialist, përfshirë republikat e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kubën.

Deri në vitin 1990, Nënë Tereza kishte hapur 456 qendra në më shumë se 100 vende, duke e shtrirë veprimtarinë e saj përtej kufijve kombëtarë, fetarë dhe ideologjikë.

Reklamë InterMedika

Puna e saj në ndihmë të njerëzve në nevojë mori vlerësim ndërkombëtar, ndërsa në vitin 1979 ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe. Në tetor të vitit 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli të Lume.

Më 4 shtator 2016, gjatë Meshës së Kanonizimit, Papa Françesku e shpalli shenjtore. Në fjalën e tij, Papa e cilësoi Nënë Terezën përcjellëse të mëshirës hyjnore që ndriçon errësirën që na rrethon, ndërsa theksoi se misioni i saj “mbetet dëshmi e afërsisë së Zotit me më të varfrit”.

Trashëgimia e saj vijon përmes Misionareve të Bamirësisë dhe mijëra vullnetarëve që veprojnë në shumë vende të botës, duke vazhduar misionin e nisur prej saj në shërbim të njerëzve më në nevojë.

Në këtë 5 shtator, personalitete të politikës dhe jetës akademike kanë kujtuar gjithashtu Shën Nënë Terezën përmes mesazheve dhe thënieve të saj, duke nderuar figurën e gruas shqiptare që u bë një simbol botëror i mëshirës, përkushtimit dhe dashurisë për njerëzit në nevojë.