Sekretari i Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, ka paraqitur dorëheqjen në Shtëpinë e Bardhë pas muajsh mosmarrëveshjesh me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, lidhur me shkarkimin e oficerëve të lartë dhe drejtimin që duhet të marrë modernizimi i ushtrisë.
Sipas POLITICO, Driscoll, një aleat i afërt i zëvendëspresidentit JD Vance, zhvilloi të hënën një bisedë me Presidentin Donald Trump, gjatë së cilës ngriti shqetësime për drejtimin e Ushtrisë.
Përplasjet mes Driscoll dhe Hegseth janë përqendruar kryesisht te programet e modernizimit të forcave dhe te largimi i disa drejtuesve të lartë ushtarakë. Mes tyre ishte edhe ish-shefi i Ushtrisë, gjenerali Randy George, një oficer i dekoruar dhe i vlerësuar gjerësisht, i cili më herët kishte kaluar pa probleme procesin e konfirmimit në Kongres.
Sipas burimeve të cituara, Driscoll u kishte thënë prej muajsh personave të afërt se synonte të largohej nga Pentagoni rreth periudhës së zgjedhjeve të mesmandatit. Megjithatë, largimi i tij vjen në një moment delikat, kur Pentagoni po menaxhon një konflikt të zgjatur në Lindjen e Mesme dhe përballet me mungesë drejtuesish të lartë të konfirmuar nga Senati.
Administrata kishte shkarkuar në prill edhe ish-sekretarin e Marinës, John Phelan.
Driscoll, veteran i Ushtrisë që ka shërbyer në Irak, konsiderohet një nga njerëzit më të afërt me JD Vance. Të dy kanë qenë shokë klase në Yale Law School dhe, sipas burimeve, Driscoll mund të luajë rol edhe në një fushatë të mundshme presidenciale të Vance në vitin 2028.
Nuk ishte e qartë nëse Presidenti Trump e kishte pranuar dorëheqjen dhe as se kush do ta merrte përkohësisht drejtimin civil të Ushtrisë. Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk dhanë menjëherë komente.
Një tjetër largim pritet edhe nga Dave Fitzgerald, zëvendësnënsekretar i Ushtrisë, i cili ka qenë i përfshirë ngushtë në përpjekjet për të tërhequr investime private dhe kompani të vogla teknologjike në sektorin ushtarak.
Driscoll dhe Fitzgerald kishin qenë ndër zërat më të fortë për ta bërë Ushtrinë më të shpejtë dhe më inovative, përfshirë përdorimin më të gjerë të teknologjive të reja dhe përshtatjen me ndryshimet në mënyrën e zhvillimit të luftës.
Ndërkohë, pas largimit të James Mingus dhe më pas të Randy George, drejtimin ushtarak e ka marrë gjenerali Christopher LaNeve, i cili tashmë ushtron dy funksione. LaNeve u përzgjodh nga Hegseth pas një lëvizjeje të papritur nga një komandë e Ushtrisë në Korenë e Jugut dhe u ngrit në gradën e gjeneralit me katër yje.
Kjo do të thotë se Ushtria amerikane do të drejtohet njëkohësisht nga një shef shtabi në detyrë dhe nga një zyrtar civil i përkohshëm, në një periudhë kur SHBA-ja po përpiqet të menaxhojë konfliktin në Lindjen e Mesme, të reagojë ndaj zhvillimeve që lidhen me Rusinë në Europë dhe të bindë Kongresin për investime të mëdha në municione, personel dhe pajisje.
LaNeve po përballet gjithashtu me kundërshtime në Kongres për konfirmimin e tij si shef i ardhshëm i Ushtrisë. Së fundmi, ai ndaloi edhe një program të përbashkët trajnimi mes forcave amerikane dhe ukrainase për luftën me dronë.
Një ish-zyrtar i Mbrojtjes i cituar në raportim tha se me largimin e Driscoll dhe George, përpjekjet për modernizimin e Ushtrisë rrezikojnë të humbasin vrullin.
“Nëse përpjekja e Driscoll dhe George për modernizimin nuk ishte e vdekur që në fillim, ka shumë gjasa të jetë tani”, deklaroi ai.
Marrëdhëniet mes Hegseth dhe Driscoll ishin tensionuar edhe më herët, kur sekretari i Ushtrisë u shfaq si një nga figurat kryesore të përpjekjeve të administratës Trump për paqe në Ukrainë në vjeshtën e vitit 2025. Driscoll udhëtoi në Kiev për të ndihmuar në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje, ndërsa Hegseth qëndroi në Uashington dhe u fokusua në çështje të tjera të politikës së Pentagonit.
Driscoll kishte shërbyer gjithashtu për një periudhë të shkurtër si drejtor në detyrë i Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve.
Hegseth ka larguar dhjetëra zyrtarë të tjerë që kishin mbështetur iniciativa të ngjashme modernizimi, përfshirë James Mingus dhe gjeneralin Christopher Donahue, ish-komandant i Ushtrisë amerikane në Europë dhe Afrikë, i cili kishte luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen për Ukrainën dhe në planifikimin ushtarak kundër kërcënimit rus.


