Kryeministri Edi Rama ka publikuar nga Pogradeci një video të një bashkëbisedimi me Diellën, gjatë takimit që po zhvillon me ministrat e kabinetit qeveritar.
Në video, Rama e pyet Diellën fillimisht për ministren Mirela Kumbaro dhe më pas kërkon të dijë se cilin dikaster drejton ajo.
“Ja, erdhi një kolege e jotja, Mirela Kumbaro”, i drejtohet Rama.
“Mirë se erdhi ministrja Mirela Kumbaro, prania e saj plotëson më tej nismën e përbashkët të punës”, përgjigjet Diella.
Kur Rama e pyet se ministre e kujt është Kumbaro, Diella përgjigjet: “Mirela Kumbaro Furxhi është ministre e Arsimit”.
Më pas, kryeministri e pyet edhe për vlerësimin që ka për Kumbaron.
“Mirela Kumbaro është një kolege me përvojë të çmuar në shërbimin publik. Bashkëpunimi i qartë mes ministrive është ajo që i kthen prioritetet në rezultate për qytetarët. Përvoja e saj në shërbimin publik është një vlerë kolegjiale, ajo merr forcë kur shndërrohet në rezultat të prekshëm për qytetarët”, përgjigjet Diella.
Bashkëbisedimi zhvillohet në Pogradec, ku Rama, pas takimit me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në 12 qarqet e vendit dhe krerët e komisioneve parlamentare, po zhvillon një takim pune me ministrat e qeverisë.
Në fokus të diskutimeve është edhe platforma “Pasqyrë Albania”, e cila pritet të funksionojë si një version i modernizuar i “Bashkëqeverisjes”.
Sipas detajeve të bëra të ditura, platforma do të ketë dy seksione, “Flamingo Mirror” dhe “Radar”. I pari do të mbledhë sinjalizimet dhe shqetësimet e qytetarëve, ndërsa “Radar” do të ndjekë problematikat e raportuara, me një afat prej 48 orësh për marrjen në shqyrtim dhe deri në dy javë për zgjidhjen e tyre.
Sipas burimeve nga Partia Socialiste, nisma synon të rrisë besimin e qytetarëve te institucionet, ndërsa zgjedhjet vendore të vitit 2027 pritet të jenë testi i parë i saj.


