NATO deklaroi se është e përgatitur të përballet me çdo kërcënim dhe të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e vendeve anëtare, pas raportimeve se Irani ka shqyrtuar mundësinë e goditjes së objektivave ushtarake amerikane në Evropë.
Reagimi erdhi pas një raportimi të Financial Times, sipas të cilit Teherani ka analizuar skenarë për sulme ndaj instalimeve amerikane në Evropën Juglindore, në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit nga SHBA-ja.
“NATO është e përgatitur të përballet me çdo kërcënim dhe gjithmonë do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”, deklaroi një zyrtar i Aleancës për Reuters.
Sipas raportimit, mes vendeve të përmendura është Bullgaria, ndërsa si objektiv i mundshëm është shqyrtuar edhe Qiproja. Irani gjithashtu dyshohet se ka analizuar mundësinë e goditjes së kabllove nënujore me fibra optike në Ngushticën e Hormuzit.
NATO theksoi se kapacitetet e saj parandaluese dhe mbrojtëse mbeten të forta, duke iu referuar edhe interceptimit të raketave balistike iraniane të drejtuara drejt Turqisë më herët gjatë këtij viti.


