Shqipëria regjistroi rreth 5 milionë hyrje të shtetasve të huaj gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, rreth 297 mijë më shumë se një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 6.2%.
Italia dhe Kosova kryesojnë fluksin e hyrjeve në vend. Vetëm nga Kosova u regjistruan mbi 1.7 milionë hyrje, me rritje 3.8%, ndërsa së bashku dy vendet përbëjnë rreth 46% të totalit.
Rritjen më të fortë e shënoi Malajzia, me 167.9%, e ndjekur nga Lituania me 81.4%, India me 78.3%, Finlanda me 57.6%, Izraeli me 49.5% dhe Polonia me 44.8%. Rritje mbi 40% u regjistruan edhe nga Spanja dhe Ukraina.
Në të kundërt, hyrjet nga Arabia Saudite ranë me 48.2%, ndërsa rënie u shënuan edhe nga Kina, Gjermania, Zvicra dhe Austria.
Të dhënat tregojnë gjithashtu rritjen e fluksit me afrimin e sezonit turistik. Vizitorët ditorë u rritën nga rreth 22 mijë në janar në mbi 53 mijë në prill, ndërsa në maj arritën kulmin me 86,321 hyrje. Në qershor u regjistruan mbi 72 mijë vizitorë ditorë.


