Zjarret në vend, Forcat e Armatosura në terren në Dajt, Mirditë dhe Pukë

17 Aug 2026 19:05
Shpërndaje:

Forcat e Armatosura vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit, ndërsa në terren janë angazhuar efektivë, mjete zjarrfikëse dhe helikopterë të Forcës Ajrore.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në Dajt, Mirditë dhe Pukë.

Në Malin e Dajtit, në Tiranë, operacioni po vijon me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Ministria bën të ditur se, për momentin, flakët nuk rrezikojnë zonat e banuara.

Reklamë Ola

Ndërhyrjet vazhdojnë edhe në Lufaj të Mirditës, ku janë angazhuar nëntë efektivë dhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë, vatra e zjarrit nuk paraqet aktualisht rrezik për banesat.

Në Fushë-Lajë të Pukës, operacioni po zhvillohet me angazhimin e 40 efektivëve të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, situata po mbahet nën monitorim dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Reklamë InterMedika

“Forcat e Armatosura, të angazhuara intensivisht në operacionet për përballimin e zjarreve në disa zona të vendit”, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Operacionet do të vijojnë në terren për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave, ndërsa strukturat përgjegjëse po monitorojnë zhvillimin e situatës në zonat e prekura.