POLITICO: Kryeministri britanik komunikoi me një person që u shtir si shefja e stafit të Trump

17 Aug 2026 11:42
Shpërndaje:

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ka shkëmbyer mesazhe me një person që u paraqit si Susie Wiles, shefja e stafit të presidentit amerikan Donald Trump, përpara se të dyshonte se kontakti nuk ishte i vërtetë, raporton POLITICO, duke cituar katër zyrtarë të informuar për çështjen.

Sipas raportimit, Burnham komunikoi me personin që hiqej si një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Trumpit, por më vonë u bë i dyshimtë për autenticitetin e mesazheve.

Downing Street nuk pranoi të komentojë rastin.

Reklamë Ola

“Nuk komentojmë çështje që lidhen me sigurinë kombëtare”, deklaroi një zëdhënës i qeverisë britanike.

Një burim i informuar për komunikimet tha se u shkëmbyen vetëm “disa mesazhe” pasi Burnham mori detyrën si kryeministër, duke këmbëngulur se ato “nuk kishin asnjë rëndësi”.

Reklamë InterMedika

Megjithatë, incidenti u konsiderua mjaft serioz nga autoritetet britanike. Sipas dy zyrtarëve të cituar nga POLITICO, Ambasada britanike në Uashington e ngriti çështjen me Shtëpinë e Bardhë, mes shqetësimeve se telefoni i Susie Wiles mund të ishte komprometuar edhe një herë.

Brenda qeverisë britanike pati frikë se kontaktet telefonike të Wiles ishin hakuar, ndërsa Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentojë mbi raportimet.

Ngjarja rikthen në vëmendje një incident të ngjashëm të vitit të kaluar, kur Shtëpia e Bardhë dhe FBI nisën një hetim pasi senatorë, guvernatorë dhe drejtues kompanish amerikane morën telefonata dhe mesazhe nga një person që pretendonte se ishte Susie Wiles.

Në atë kohë, The Wall Street Journal raportoi se Wiles kishte informuar bashkëpunëtorët e saj se lista e kontakteve në telefonin e saj ishte hakuar.

POLITICO shkruan se nuk dihet se çfarë është diskutuar gjatë shkëmbimit të mesazheve me Burnham dhe as kur saktësisht ato janë dërguar, pasi incidenti është mbajtur sekret për arsye sigurie.

Andy Burnham mori detyrën si kryeministër më 20 korrik, ndërsa fitorja e tij në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield më 18 qershor e bëri të qartë se ai do të pasonte Keir Starmer në drejtimin e qeverisë britanike.