Zjarri masiv në Belgjikë kërcënon Gjermaninë, banorëve u kërkohet të evakuohen

16 Aug 2026 19:58
Shpërndaje:

Një zjarr i madh pyjor që ka përfshirë Belgjikën po afrohet drejt kufirit me Gjermaninë, duke detyruar autoritetet gjermane të rekomandojnë evakuimin e banorëve në zonat pranë kufirit.

Bashkia e qytetit Monschau, me rreth 12 mijë banorë, njoftoi se fronti i zjarrit ndodhet rreth 1.5 kilometra nga kufiri gjerman dhe vetëm 1.8 kilometra nga zona më e afërt e banuar.

Zjarrfikësit kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës për të vënë nën kontroll flakët, të cilat shpërthyen mesditën e së premtes në parkun natyror Fagnes, në Belgjikë, dhe po përhapen drejt territorit gjerman.

Reklamë Ola

Sipas autoriteteve belge, zjarri ka përfshirë rreth 30 mijë hektarë, duke u konsideruar më i madhi në historinë e vendit.

Edhe nëse flakët nuk kalojnë kufirin, autoritetet gjermane paralajmërojnë se tymi pritet të shkaktojë ndotje të konsiderueshme të ajrit.

Reklamë InterMedika

“Si pasojë, është lëshuar një rekomandim për banorët e zonave pranë kufirit që të evakuohen”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Monschau.

Ndërkohë, autoritetet belge kanë urdhëruar evakuimin e qytetit Kuchelscheid, i cili ndodhet vetëm rreth 10 minuta larg me makinë nga Monschau, ndërsa operacionet për shuarjen e zjarrit vijojnë