Belgjika po përballet me zjarrin më të madh pyjor në historinë e saj moderne, ndërsa autoritetet presin mbështetje ajrore nga disa vende evropiane për të vënë nën kontroll flakët që kanë përfshirë rezervatin natyror High Fens, pranë kufirit me Gjermaninë.
Zjarri, që shpërtheu të premten, ka djegur rreth 3.000 hektarë tokë. Më shumë se 250 zjarrfikës dhe punonjës të emergjencave punuan gjatë gjithë natës për të frenuar përhapjen e flakëve, ndërsa operacioni po mbështetet kryesisht nga ndërhyrjet ajrore.
Helikopterët e policisë federale belge dhe avionë zjarrfikës nga Holanda nisën operacionet që në orët e para të së dielës, duke furnizuar vazhdimisht me ujë nga një liqen pranë zonës së zjarrit. Gjatë ditës pritet t’u bashkohen edhe helikopterë nga Çekia dhe Suedia, pasi Belgjika aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Gjermania dhe Norvegjia mund të ofrojnë gjithashtu mbështetje ajrore.
“Faleminderit partnerëve tanë evropianë për ndihmën që po ofrojnë,” shkroi kryeministri belg Bart De Wever në rrjetin social X.
Evropa po përballet me një verë të shoqëruar nga temperatura ekstreme, thatësira dhe zjarre të shumta, të cilat kanë detyruar mijëra njerëz të evakuohen në vende si Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia dhe Spanja. Edhe në Francë, zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë disa vatra zjarri, njëra prej të cilave ndodhet pranë kufirit me Belgjikën.
Flakët në Belgjikë po shkatërrojnë torfishtet dhe pyjet me pisha të rezervatit High Fens, një zonë që ishte goditur rëndë edhe nga zjarret e vitit 1911 gjatë një periudhe të ngjashme me temperatura të larta dhe thatësirë.
Deri më tani nuk raportohet për banesa të dëmtuara, por banorët e dy fshatrave janë evakuuar si masë paraprake. Autoritetet bëjnë të ditur se zjarri mbetet ende jashtë kontrollit.


