Nepravishta, një prej fshatrave karakteristikë të zonës së Libohovës, rreth 20 kilometra larg Gjirokastrës, është destinacioni i radhës i promovuar nga kryeministri Edi Rama në kuadër të Shqipërisë turistike.
Përmes një guide vizuale të publikuar këtë të diel në rrjetet sociale, Rama ka prezantuar tetë ndalesa që ndërthurin historinë, natyrën, traditën dhe mikpritjen e zonës.
“Aty ku çdo shteg të çon te një xhami e vjetër, te një oborr prodhuesi vaji ulliri, patjetër në tavolinën e një familjeje, edhe një ecje në kodrat e Buretos me shijimin e mjaltit dhe natyrës”, shkruan Rama.
Itinerari nis nga Ballkoni i Fshatit, një pikë panoramike nga ku vizitorët mund të shijojnë pamjen mbi Nepravishtën, Luginën e Drinos dhe vargmalet përreth.
Guida vijon me një përvojë të kulinarisë tradicionale në një familje vendase, ku mes gatimeve karakteristike të zonës përfshihet edhe lakrori me thërrime.
Një tjetër ndalesë është Hadrianopoli, ku ruhen gjurmët e qytetit antik, ndërsa vizitorëve u sugjerohet edhe një vizitë në një bletari familjare për t’u njohur nga afër me prodhimin tradicional të mjaltit.
Në itinerar përfshihet edhe Teqeja e Melanit, e rrethuar nga selvitë dhe kopshtet, si dhe livadhet e Revanit, të njohura për shtigjet dhe peizazhet e tyre.
Vizita vazhdon në Lagjen e Poshtme të Nepravishtës, ku shtëpitë prej guri dhe oborret ruajnë elemente të arkitekturës tradicionale të fshatit.
Ndalesa e fundit është mali i Buretos, i cili ofron mundësi për ecje në natyrë dhe pamje panoramike mbi të gjithë zonën.
Përmes kësaj guide, Nepravishta prezantohet si një destinacion që kombinon turizmin kulturor dhe natyror me gastronominë dhe përvojat autentike të jetës lokale, duke u ofruar vizitorëve një tjetër alternativë për të eksploruar jugun e Shqipërisë.


