Thatësira godet sistemin energjetik në Rumani, ndalet një reaktor i centralit bërthamor të Çernavodës

14 Aug 2026 11:05
Shpërndaje:

Rumania ka ndalur funksionimin e Reaktorit 2 të centralit bërthamor të Çernavodës për shkak të nivelit të ulët të ujit në lumin Danub, duke shtuar presionin mbi sistemin energjetik të vendit.

Shkëputja e reaktorit nga rrjeti zgjati rreth katër orë. Centrali i Çernavodës siguron rreth 20% të prodhimit të energjisë elektrike të Rumanisë, ndaj situata vjen në një moment të vështirë, kur temperaturat e larta kanë rritur konsumin dhe thatësira ka reduktuar prodhimin e hidrocentraleve.

Sipas ekspertëve, niveli i Danubit mund të qëndrojë nën kufirin minimal për rreth 10 ditët e ardhshme, çka mund të pengojë rikthimin në punë të Reaktorit 2.

Reklamë Ola

Drejtori i centralit, Romeo Urjan, siguroi se nuk ka rrezik për sigurinë bërthamore, por shpjegoi se prodhimi nuk mund të vazhdojë në kushtet aktuale.

“Nuk kemi një problem emergjent dhe nuk kemi probleme të sigurisë bërthamore. Por prodhimi i energjisë nuk mund të vazhdojë me këtë nivel kaq të ulët të Danubit”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Sipas Urjan, vazhdimi i funksionimit në këto kushte mund të dëmtojë pompat e mëdha të ftohjes, riparimi i të cilave mund të kërkojë nga gjashtë muaj deri në një vit.

Situata është krahasuar me thatësirën ekstreme të vitit 2003, kur Njësia 1 e centralit u ndal për rreth 25 ditë.

Ndalimi i reaktorit pritet ta detyrojë Rumaninë të mbështetet më shumë tek importet dhe prodhimi nga energjia e erës. Ekspertët paralajmërojnë se kostot më të larta të importit mund të reflektohen edhe në faturat e konsumatorëve.

Autoritetet nuk përjashtojnë gjithashtu kufizime të përkohshme të furnizimit për konsumatorët e mëdhenj industrialë gjatë orëve të pikut, nëse presioni mbi sistemin energjetik vazhdon.