Zjarrfikësit në Francë shpallin protestë kombëtare, kërkojnë më shumë staf dhe fonde

14 Aug 2026 10:29
Shpërndaje:

Sindikatat e zjarrfikësve në Francë kanë njoftuar një protestë kombëtare më 29 shtator, duke akuzuar qeverinë se nuk u ka siguruar mbështetjen dhe burimet e nevojshme gjatë një vere të karakterizuar nga temperatura ekstreme dhe zjarre të fuqishme.

“Po kërkojmë burimet e nevojshme për të mbrojtur qytetarët francezë”, deklaroi Xavier Boy, zëdhënës i disa sindikatave të zjarrfikësve.

Ndër kërkesat kryesore janë modernizimi me ligj i sistemit të sigurisë civile, rekrutimi masiv i zjarrfikësve profesionistë, rritja e fondeve për shëndetin dhe sigurinë e tyre, si dhe investime që t’u përgjigjen rreziqeve në rritje nga temperaturat ekstreme dhe zjarret.

Reklamë Ola

Zjarrfikësit kanë të drejtë të hyjnë në grevë, por gjatë protestës do të duhet të ruajnë nivelin minimal të personelit të nevojshëm për t’iu përgjigjur emergjencave.

Përfaqësuesit e tyre zhvilluan të enjten një takim me ministrin e Brendshëm, Laurent Nuñez, por thanë se dolën të zhgënjyer nga bisedimet, duke i cilësuar përgjigjet e qeverisë si të pamjaftueshme.

Reklamë InterMedika

Nuñez njoftoi se më 8 shtator sindikatave do t’u paraqitet një projektligj për përmirësimin e sigurisë civile. Ai premtoi gjithashtu se burimet për zjarrfikësit do të rishikohen në buxhetin e vitit të ardhshëm, por nuk dha një shifër konkrete për rritjen e financimit.

Kryeministri Sébastien Lecornu ka ngarkuar ndërkohë shtatë parlamentarë me hartimin e një raporti për përmirësimin e sistemit të zjarrfikësve. Propozimet pritet të dorëzohen deri më 21 shtator.

Problematik mbetet edhe fakti se sistemi francez mbështetet në masë të madhe te vullnetarët. Sipas të dhënave të vitit 2024, afro 80% e zjarrfikësve në Francë ishin vullnetarë, ndërsa më pak se 20% ishin profesionistë.

Sindikatat thonë se mangësitë u evidentuan edhe gjatë zjarrit të madh pranë Bordosë, ku ekipet u përballën me mungesë personeli, pajisjesh dhe mjetesh të posaçme për shuarjen e zjarreve pyjore.

“Gjithçka mungonte: personeli, pajisjet dhe mjetet për zjarret pyjore, por mbi të gjitha parashikimi”, deklaroi Boy.