Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Kuç të Vlorës një takim konsultativ me kryetarët e bashkive, në kuadër të diskutimeve për reformën e re administrative-territoriale.
Takimi zgjati rreth katër orë e 30 minuta dhe në fokus ishte rishikimi i hartës së pushtetit vendor, përfshirë propozimet për bashkimin e disa bashkive.
Në tryezë morën pjesë bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, kryetarë bashkish në rang qarku, si dhe drejtues të bashkive që, sipas propozimeve të diskutuara, mund të mos jenë më njësi më vete në hartën e re.
Kryebashkiakët e njësive të prekura nga bashkimet e mundshme paraqitën argumentet e tyre për ruajtjen e bashkive që drejtojnë. Nga ana tjetër, gjatë takimit u diskutuan edhe arsyet që mbështesin propozimet për bashkimin e tyre me njësi të tjera vendore.
Diskutimet u zhvilluan me të gjithë kryetarët e bashkive të pranishëm, duke u fokusuar te ndikimi që ndryshimet mund të kenë në organizimin territorial, administrimin vendor dhe funksionimin e bashkive.
Në konsultimin në Kuç morën pjesë drejtues të bashkive Durrës, Shkodër, Kukës, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Cërrik, Belsh dhe Libohovë.
Takimi është pjesë e procesit të konsultimeve për reformën e re administrative-territoriale, ndërsa diskutimet për konfigurimin përfundimtar të hartës së bashkive vijojnë.


